E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, ndërtimi i tregut agroushqimor përfundon në prill



Punimet për ndërtimin e tregut ushqimor në qytetin e Krumës thuajse kanë përfunduar, ndërsa po punohet në mjediset e brendshme të tij për instalimin e sistemit të ndriçimit e të ujit të pijshëm. Ministria e Bujqësisë ka akorduar një fond prej 63 milionë lekësh, ku pritet që investimi të përfundojë në muajin prill të këtij viti. Kryetari i Bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka, deklaroi se ndërtimi i këtij tregu sipas parametrave bashkëkohorë zgjidh një nga problemet më shqetësuese për komunitetin, që ishte i detyruar të blinte mallrat e konsumit të përditshëm jashtë çdo kushti higjienik. Në tregun agroushqimor të qytetit të Krumës tregtojnë mallrat e tyre rreth 100 tregtarë.

Vlorë, rreth 40 banorë mbeten pa energji elektrike

Njëri prej pallateve në Ujin e Ftohtë të qytetit të Vlorës ka pasur mungesë të energjisë elektrike që prej dy ditësh. OSSH-ja ka bërë ndërprerjen e energjisë elektrike pas një konflikti me ndërtuesin e pallatit. Aktualisht, rreth 40 familje që jetojnë në të, si dhe disa biznese, vuajnë mungesën e energjisë elektrike.
Banorët e kësaj ndërtese në Ujin e Ftohtë shprehen se i paguajnë rregullisht faturat e energjisë që prej më shumë se 4 vjetësh kohë kur është ndërtuar pallati, madje kanë qenë të pajisur me librezat përkatëse. Ata shprehen se nuk kanë qenë në dijeni të këtij problemi deri para disa ditësh kur ka ndodhur dhe ndërprerja e parë e energjisë nga ana OSSH-së. Banorët janë ankuar pranë ndërmarrjes elektrike, por ata janë shprehur se zgjidhjen e japin vetëm ndërtuesit. Sipas tyre, ata nuk kanë mundur të lidhen me ndërtuesin e objektit. Pronari i një prej bizneseve të zonës është shprehur se ai i ka paguar dhe vazhdon t’i paguajë rregullisht faturat ndaj këtij institucioni, madje disponon dhe librezën përkatëse. Ai shprehet se kjo masë duhet të ishte marrë që pa hyrë njerëzit në banesa apo pa u hapur bizneset dhe jo tashmë që kanë kaluar më shumë se katër vjet.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›