Ishte dënuar për mashtrim në Maqedoni, arrestohet në Shqipëri
Tiranë – Ishte dënuar për mashtrim me katër vjet burg në Maqedoni, kapet në Shqipëri. Policia e Tiranës bëri me dije dje për gazetën “Albania” se efektivët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik e Financiar bënë ndalimin e Dallëndyshe Mihaxhirit, 41 vjeçe, lindur në Tiranë dhe banuese në Fushë Krujë. Ndalimi i saj është bërë pasi me Vendimin Nr. 579, të vitit 2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur njohjen e Vendimit Penal Nr. 1826/2, datë 9 nëntor 2005, të Gjykatës Themelore II (e Maqedonisë) për Dallëndyshe Mihaxhirin, e cila, sipas këtij vendimi, është dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale të “mashtrimit”, të parashikuar nga Nenet 274/3 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu Gjykata e Tiranës ka bërë njohjen e këtij vendimi dhe njëkohësisht ka caktuar si dënim për këtë qytetare 1 vit burg, për veprën penale të “mashtrimit”, të parashikuar nga Neni 143/1 i Kodit Penal. Në lidhje me këtë vendim, Prokuroria e Tiranës, në muajin janar 2009, ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për Dallëndyshe Mihaxhirin. Pas arrestimit, ajo është dërguar në qeli.
Vodhi një dyqan celularësh, kapet nga policia
Shkodër – Policia e Shkodrës ka arrestuar dje shtetasin Klodian Çanga, pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje të realizuar në një dyqan celularësh. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, 19-vjeçari, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, dyshohet të jetë një nga autorët e ngjarjes së ndodhur në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe. Po sipas policisë, Çanga, në bashkëpunim me Fisnik Bruçajn dhe Kristian Lumajn, dyshohet të kenë vjedhur me thyerje një dyqan celularësh.
Aksidentoi kalimtaren, arrestohet nga policia
Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë mundësuar kapjen e shtetasit Hajdar Gjoci, i cili, duke drejtuar mjetin e tij furgon Ford, me targë DR 7161 C, ka aksidentuar shtetasen Refije T., banuese në Lagjen Nr. 18 Durrës. Sipas të dhënave policore, kjo shtetase ndodhet e shtruar në Repartin e Reanimacionit, në Spitalin Rajonal të qytetit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal.
Vodhi 2100 euro në shtëpinë e fqinjit, dërgohet në qeli
Durrës – Dyshohet se kishte vjedhur pak ditë më parë 2100 euro në një shtëpi dhe më pas kishte mundur të zhdukej. Por liria i ka zgjatur vetëm pak ditë, pasi ka rënë në duart e policisë. Burimet e policisë së Durrësit bënë të ditur për gazetën se dje u arrestua shtetasi Mustafa Kulla, banues në Ishëm, i dënuar edhe më parë për veprën penale të “vjedhjes”. Ai akuzohet se është autor i vjedhjes në banesën e shtetasit Tomorr K, banues në Ishëm, në datën 8 shkurt. Ai ka vjedhur shumën prej 2100 eurosh dhe disa orendi shtëpiake. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”, të parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal.
13 Shkurt 2009