E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqize perleshen bandat e kromit

Leonard Ndreu dhe Shpëtim Reka janë dy nga 6 të arrestuarit e policisë për ngjarjen e ndodhur në qendër të qytetit të Bulqizës ku dy banda që merren me shfrytëzimin e mineralit të kromit u përleshën me armë me njera-tjetrën.UPDATE

Pas ngjarjes ata nxituan me mjete të ndryshme të shkonin në spitalin e qytetit të Peshkopisë ku u paraqitën si kalimtarë që u plagosën aksidentalisht.

“Për momentin u shtriva barkas, pasi mbaroi ngjarja ndjeva një të therrur në sqetull. Shkova mora taksi dhe vajta në spital”, është shprehur Ndreu.

“Pasi filluan të shtënat ndjeva që u plagosa dhe me anë të një makine vajta në spital”, tha Shpëtim Reka.

Ata u vunë në pranga të akuzuar se ishin pjesë e bandës që kreu e para sulmin me armë kallashnikovë dhe me maska në qendër të qytetit.

Gjatë natës policia arrestoi edhe shtetasin Vladimit Croi, i cili së bashku me Leonard Ndreun, Shpëtim Rekën, Ilir Jangullin dhe Destan Gjetën ishin pjesë e grupit të armatosur që sulmoi grupin e përbërë nga shtetasit Arben Duriçi, Ardjan Duriçi dhe Ndriçim Duriçi.

Shtetasit Ilir Jangulli dhe Destan Gjeta janë ende në kërkim nga policia në ndihmë të së cilës kanë shkuar edhe repartet RENEA.

Mesditën e së mërkurës qyteti i Bulqizës u trondit nga shkëmbimi i zjarrit mes dy grupeve që dolën se ishin të lidhur me shfrytëzimin e mineralit të kromit.

Zjarri është hapur në fillim nga një person me armë automatike, i cili nuk mundi të qellojë shenjestrën e tij, por plumbat kanë goditur shtetasin Fehmi Kurcami, baba i tre fëmijëve, me profesion minator.

Ai ndodhej pranë një zyre noterie duke përgatitur disa dokumenta. Disa plumba e kanë goditur në trup duke i marrë jetën.

Ndërkohë grupi i sulmuar, pjesëtarë të një fisi të njohur në Bulqizë për shfrytëzimin e burimeve të kromit, janë përgjigjur po me armë.

Sipas policisë në Bulqizë, ngjarja ka lidhje me një përplasje të ndodhur mes dy grupeve pak ditë më parë në qytet.

Të dhënat tregojnë se zanafilla e konfliktit që degjeneroi në përleshje të armatosur, është lufta për kontrollin e vendburimeve të mineralit të kromit.

Një pjesë e shfrytëzimit të kësaj pasurie është kriminalizuar dhe grupe të ndryshme, organizuar në bazë fisesh, përdorin forcën dhe armët edhe kundër njeri-tjetrit për zonat e kontrollit.

Në zonën e minierave shpesh herë ka patur krisma armësh apo konflikte mes grupeve, por ngjarja e fundit i ka zbritur këto përplasje në qendër të qytetit, ku viktima janë bërë njerëz të pafajshëm.

“Far uesti” në minierat e Bulqizës është denoncuar shpesh nga Top Channel, duke qenë një çështje e ndjekur në vazhdimësi përmes kronikave dhe reportazheve speciale.

Rasti më i fundit ishte para një jave ku në rubrikën “Shqipëria tjetër” u denoncua lidhja mes bizneseve legale dhe ilegale dhe politikës që janë kthyer në zotër të pasurisë kombëtare dhe shfrytëzojnë stoqet dhe galeritë e kromit.

Grupi i Top Channel u sulmua fizikisht nga personat që u ndjenë të kërcënuar nga zbardhja e të vërtetës kriminale në këtë zonë të pasur me mineral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›