Ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume: Djegia e fletëve të votimit, i hap rrugën hartimit të Kodit Zgjedhor

Katër muaj nga zgjedhjet vendore te 8 majit, duket e largët data për thirrjen e një tryeze të tretë elektorale që do të ndryshojë kodin. Madje një gjë e tillë as nuk artikulohet nga politika. I mandatuari nga Kuvendi dhe shoqëria civile për ndërhyrjet teknike në ligjin e zgjedhjeve, Kristaq Kume thotë se kutitë kanë mbajtur peng reformën. Por sipas tij, tashmë pas vendimit të KQZ, çdo hezitim i socialistëve, mund të përkthehet vetëm kështu. “Unë do ta konsideroja mospjesëmarrjen e saj vetëm si rrjedhim i faktit që vendimi politik i kësaj partie mund të jetë mospjesëmarrja në zgjedhje. Në qoftë se PS do të marr pjesë në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë garuese e këtyre zgjedhjeve atëherë nuk ka pse të mos kontribuojë në realizimin e reformës zgjedhore”, bën të ditur Kristaq Kume. Që prej nëntorit kur Kume u mandatua për ndryshimin e kodit, kanë qenë vetëm partitë e vogla dhe shoqëria civile ata që kanë treguar interes për reformën zgjedhore. “Partitë e vogla dhe ndër to, parti që i takojnë spektrit të djathtë, janë të gatshëm për të sjellë kontributin e tyre, biles pretendojnë se i kanë të zbardhura mendimet e tyre. Kurse nga dy partitë e mëdha politike nuk ka deri tani kontribut konkret, real”, tha më tej, ish kreu i KQZ-së. Reforma zgjedhore sipas tij, duhet të mbyllet brenda janarit, pra 3 muaj para zgjedhjeve, pasi në kod ka afate që e bëjnë të pamundur punën përtej kësaj kohe.
...