OSBE: Asnjë parti s’duhet ta mendojë bojkotin

Ambasadori i bën apel politikës për bashkëpunim dhe frymë kompromisi vetëm në Kuvend
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka deklaruar dje prerazi se asnjë parti politike në Shqipëri, si një vend që aspiron për t’u integruar në BE, s’duhet ta çojë nëpër mend bojkotimin e zgjedhjeve. Ai u bën thirrje forcave politike që të përkushtohen për kompromis dhe rrugëzgjidhje sipas frymës konsensuale vetëm brenda institucioneve të Shtetit, ndërkohë që ka bekuar nisjen prej KQZ-së të procesit të asgjësimit të fletëve të votimit
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, i apelon forcave politike që të përkushtohen për kompromis dhe rrugëzgjidhje sipas frymës konsensuale vetëm brenda institucioneve të Shtetit, duke dënuar kështu kërcënimet e opozitës për protesta dhe bojkot të parlamentit.
Duke iu referuar situatës politike në vend, ambasadori Wollfarth ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë për zgjidhjen e ngërçit politik, që sipas tij s’duhet të pengojë pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Përmes kësaj forme reagimi, kreu i prezencës së OSBE, i jep një leksion të mjaftueshëm opozitës dhe prirjeve të saj bojkotuese.
“Me që jemi në kuvend mund të them që është shumë e rëndësishme që diskutimet të ndodhin në Kuvend, dhe mendoj se shenjat e fundit janë pozitive pasi mendoj se ka pasur diskutime. Shpresoj të ketë sa më shumë diskutimet dhe të gjithë duhet të kenë parasysh që për të marrë vendime të rëndësishme ka nevojë për kompromis dhe për një frymë pozitive bashkëpunimin. Kuvendi është vendi i duhur ku mazhoranca takohet me opozitën për të marrë vendimet e duhura. Shpresoj të ketë diskutime të mëtejshme dhe të këtë një mirëkuptim midis të dyja palëve duke marrë parasysh edhe infrastrukturën e përmirësuar të Kuvendit”m u shpreh ambasadori Wollfarth.
Më tej, kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, nënvizoi se shpreson se do të ketë mirëkuptim mes dy palëve duke marrë parasysh dhe infrastrukturën e re të Kuvendit. Duke u ndalur te vendimi i KQZ-së për djegien e fletëve të votimit dhe nisjen nga puna të përgatitjeve për zgjedhjet vendore, ambasadori Wollfarth tha se tashmë ka një nivel të lartë transparence dhe se vendimi është bërë publik tashmë.
“Nuk mund të bëjë një koment për atë çfarë ka thënë paraardhësi im, sepse është një situata tjetër në një kohë tjetër, por di që vendimi është marrë në dhjetor dhe janë bërë publike. Tashmë shoh se ka një nivel transparence, megjithatë jo të gjithë anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve kanë qenë prezent në të gjitha takimet, kështu lind pyetja a është kjo mënyra më e mirë për të proceduar në këtë mënyrë”, deklaroi ai.
Ndërkohë i pyetur për zgjedhjet e 8 majit, ambasadori Wollfarth kërkoi pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ketë zgjedhje transparente.
“Urimi im për Vitin e Ri është që të ketë një kontribut nga të gjitha palët qoftë edhe nga qytetarët që janë votues. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e kaluara apo ato të ardhshmet kërkohet një pjesëmarrje nga të gjitha palët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të kemi nivel të lartë të transparencës”, përfundoi fjalën e tij Wollfarth.
Këto komente ambasadori i OSBE-së Wollfarth i bëri gjatë inaugurimit të bibliotekës së re të Kuvendit. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se pjesëmarrja në Kuvend dhe votimi është një detyrim Kushtetues.
Ajo theksoi gjithashtu se asnjë forcë politike s’mund të inkurajojë bojkotin e zgjedhjeve vendore.