E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, përleshja me armë mes bandave 6 të arrestuarve

BULQIZE- Policia e Bulqizës e ndihmuar dhe nga forcat speciale kanë bërë të mundur arrestimin e 6 prej personave të dyshuar përgjegjës për sulmin dje me armë në mes të qytetit ku mbeti i vrarë 48 vjecari Fehmi Kurcami, ndërkohë që u plagosen dhe dy persona të tjerë. Fillimisht policia arrestoi Arben Durricin, por gjatë orëve të natës bëri të mundur dhe arrestimin e Adrian Durricit, Ndricim Durricit dhe Vladimir Crroit. Mes të arrestuarve janë dhe dy personat që u plagosën gjatë sulmit; Shpëtim Reka dhe Leonard Ndreu. Fillimisht u tha se të plagosurit ishin kalimtarë të rastësishëm por pas arrestimit të tyre burime policore bënë të ditur se këta kanë patur lidhje me sulmin e armatosur në mes të qyetit. Ndërkohë policia thotë se është vënë në ndjekje te autorëve të cilët njihen si persona me precedente penale, Ilirjan Jangulli dhe Destan Gjeta.
Nga përplasja e grupeve rivale për kromin mbeti i vrarë Femi Kurcami banor i një fshati të këtij rrethi. 48 vjecari kishte zbritur ne qytet për të bërë noterinë e një prone. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi vetëm pak metra larg bashkisë së qytetit kur grupet rivale, ai i Durricëve dhe i Ilirjan Jangullit, njëri në një automjet dhe tjetri në këmbë në mes të qytetit kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit duke përdorur një arsenal të tërë armësh në prezencë edhe te dhjetera qytetarëve. Sipas disa burimeve policore dyshohet se gjatë këtij sulmi të pazakontë të jenë përdorur automatikë dhe pistoleta.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›