E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, përplasje mes minatorëve dhe policisë

Tensionohet situata në minierën e Bulqizës. Sipas informacioneve ka pasur përplasje mes forcave të policisë dhe minatorët teksa këta të fundit kanë tentuar të bllokojnë hyrjen e minierës.
 

Policia ka përdorur edhe gaz lotësjellës për të shpërndarë minatorët të cilët po mbajnë të bllokuar hyrjen në minierë duke mos lejuar të hyjnë në minierë asnjë makineri. Mësohet se gjatë përplasjeve me policinë janë plagosur edhe minatorët Dashamir Neziri 44 vjeç, Arif Xhiveshi dhe Rifat Sollaku të cilët janë dërguar në spitalin e Peshkopisë.

Gjithashtu mësohet se forca të shumta policie ndodhen në Bulqizë për të mbajtur nën kontroll situatën e cila është tensionuar shumë.
 

Ndërkohë më herët minatorët i dhanë edhe dy ditë afat kompanisë ACR për të arritur një marrëveshje përndryshe ata do të përshkallëzojnë protesta duke bllokuar rrugët por edhe do të rinisin edhe grevën e urisë.

Minatorët e Bulqizës për më tepër se një muaj e gjysëm kanë kërkuar që kompania ACR të nisë investimet në minierë, të rrisë pagat nga 20-40% si dhe të përmirësojë kushtet e punës brenda në minierë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›