E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, plas "lufta" për galeritë e kromit

Ashpërsohet konkurrenca mes grupeve të interesit për shfrytëzimin e galerive të kromit në pjesën qendrore dhe jugore të minierës së Bulqizës. Në orët e para të ditës së djeshme, në ekstremin më jugor të kësaj miniere të quajtur "Almarinë", janë dëgjuar krisma të frikshme kallashnikovi, të cilat kanë tmerruar banorët dhe kanë vënë në lëvizje policinë. Një grup i gatshëm i policisë ka krehur të gjithë zonën ku janë dëgjuar këto krisma, por ende nuk është kapur asnjë nga njerëzit që kanë gjuajtur me armë. Ata, duke përfituar edhe nga terreni, janë larguar në drejtim të paditur. Sipas burimeve zyrtare të policisë, është mundur të identifikohet galeria për zaptimin e së cilës janë përdorur edhe armët e zjarrit. Rivaliteti midis personash dhe atyre që rreshtohen pas tyre për zaptimin e galerive të kromit ka çuar në nisjen e "luftës" edhe me armë. Kohët e fundit, konkurrenca midis "të fortëve" për zona influence, në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e kromit, ka arritur kulmin. Kjo edhe për faktin se konjuktura e shitjes së mineralit është tejet e favorshme. Aktualisht një ton mineral shitet me 400 deri në 450 dollarë. Gjatë muajit prill, pjesa qendrore dhe jugore e minierës është përfshirë nga një kaos i vërtetë, ku dhjetëra persona edhe pse të palicencuar janë sulur drejt saj për të marrë mineral kromi. Ky sulm solli edhe ashpërsimin e konfliktit dhe vetëm pak ditë më parë, persona të paidentifikuar i vunë flakën barakës së një firme private gjatë natës, duke i marrë asaj të gjitha veglat e punës. Madje në këtë lëvizje kaotike personash pati tendenca kundërvënieje edhe për marrjen e galerive të firmave private të licencuara nga Ministria e Ekonomisë. Përballë kësaj gjendjeje shpërthyese u desh ndërhyrja e policisë për vendosjen e rendit në këtë pjesë të minierës. Veç kësaj, ekziston edhe një urdhër i ministrit Ruli për kushtet e sigurisë, që e bëri të domosdoshme ndërhyrjen e policisë për ndërprerjen e punës. Por nëse këtij urdhri iu bindën shoqëritë që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm, privatë të palicencuar u turrën në këtë pjesë të minierës për mbledhjen e gurëve të kromit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›