E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, emigranti kapet me 2 kg hashash në makinë

Policia kufitare bllokon në një makinë me targa greke sasinë e hashashit dhe arreston të riun nga Ballshi, që jetonte në Kallamata të Greqisë

Efektivat e Policisë Kufitare të Kakavijës kanë goditur një tjetër tentativë të transportit të hashashit në drejtim të Greqisë, ndërsa kanë ndaluar një emigrant nga Ballshi, të dyshuar si transportues i saj. Sipas burimeve zyrtare, efektivat e Policisë Kufitare kanë marrë informacion në rrugë operative se një autoveturë me targa greke do të tentonte të trafikonte në drejtim të Greqisë një ngarkesë me lëndë narkotike. “Informacioni saktësonte se makina drejtohej nga një emigrant shqiptar me banim prej vitesh në Greqi”, - thonë burime në Policinë Kufitare. Me qëllim goditjen e këtij rasti të transportit të lëndëve narkotike, u përforcuan shërbimet e kontrollit duke ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha automjetet që udhëtonin në drejtim të Greqisë. Sipas burimeve policore, automjeti i dyshuar ka mbërritur në doganën e Kakavijës rreth orës 14:30 të së shtunës, për të kryer kontrollin rutinë. “Pas parkimit të automjetit tip ‘Audi A3’, me targa greke ZZZ 58 89, që drejtohej nga Besmir Disha, një 23-vjeçar nga Ballshi, ne ushtruam një kontroll të imtësishëm në këtë makinë”, - thonë efektivat e kufirit në Kakavijë. Gjatë këtij kontrolli, në brendësi të prapakolpit të automjetit policia konstatoi dy pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban ngjyrë të zezë, brenda të cilave ndodheshin 2 kilogramë marijuanë. Pas zbulimit të ngarkesës me lëndë narkotike, drejtuesi i makinës është shoqëruar për në policinë lokale. Sipas grupit hetimor, 23-vjeçari Disha kishte ardhur para një jave në Ballsh nga Greqia. Lëndën narkotike ai e kishte blerë tek një person nga Fieri për ta trafikuar më pas në drejtim të qytetit grek, Kallamatë, ku do ta shiste në doza të vogla. Blutë e Gjirokastrës në bashkëpunim me kolegët e tyre në policinë e Fierit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe ndalimin e personit që i ka shitur 2 kg marijuanë emigrantit nga Ballshi. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›