E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Basha kandidati më i mbështetur

25/02/2011  Kryetari i PD-së për degën e Tiranës shprehet për kandidaturën në zgjedhjet lokale

Procesi i propozimeve vazhdon, ende nuk është bërë përzgjedhja përfundimtare

Kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi, tha dje se ministri i Brendshëm Lulzim Basha është kandidati më i mbështetur nga baza për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale. Ndonëse kjo forcë politike ndodhet në procesin e mbledhjes së propozimeve për çdo njësi vendore, proces i cili mund të ndryshojë gjithçka nisur nga kandidatura që do të propozojë Partia Socialiste, Bumçi deklaroi se ministri Basha është kandidati që ka marrë mbështetjen më të madhe të seksionit të PD-së së Tiranës, por gjithsesi sipas tij ka ende kohë për të dalë në një kandidaturë përfundimtare. Sipas gjykimit të vetë Bumçit, kandidimi i Lulzim Bashës për drejtimin e Bashkisë së Tiranës është një shans i mirë për qytetarët që më 8 maj të vendosin ndryshimin dhe përmirësimin e jetës dhe shërbimeve në kryeqytet. Kreu i PD-së për Tiranën tha gjithashtu se ministri i Brendshëm ka nisur punën me strukturat elektorale të partisë për organizimin e fushatës. Në fakt, ministri Basha prej kohësh është konsideruar si një ndër kandidatët me potencialë në radhët e Partisë Demokratike për të garuar përballë Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit. Tri ditë më parë në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike vetë kryeministri Berisha prezantoi, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejt, ministrin Basha si kandidatin më potencial të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Në po atë mbledhje kreu i PD-së porositi deputetët për t’iu përkushtuar fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme, duke mundësuar finalizimin brenda muajit shkurt të përzgjedhjes së kandidatëve. Ai njoftoi angazhimin e ministrit Basha me zgjedhjet në kryeqytet së bashku me deputetin Aldo Bumçi. Ndërsa kryesitë lokale të PD-së pritet të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturave të tyre për zgjedhjet lokale të 8 majit brenda datës 5 mars. Duke qenë se në këtë proces mendohet të shmanget gara, kryesitë e rretheve do të japin pëlqimin e tyre për të gjithë kandidatë që ata mendojnë se janë të aftë të përballen në garën e ardhshme. Dy javët e ardhshme do të jenë javë pune edhe për deputetët e PD-së, të cilët do të ndjekin nga afër mbledhjet e kryesive që do të mbahen në degët e kësaj partie. Ndërkohë kryesia e PD-së do të vendosë në mënyrë përfundimtare për të gjitha kandidaturat e mbledhura nga rrethet në mesin e muajit mars. Ndërsa ka nisur përgatitjet për zgjedhjen e kandidatëve, PD-ja ka shpallur hapjen e fushatës elektorale më 20 shkurt, në përvjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në vendin tonë. Kryeministri Berisha, duke e cilësuar festën e asaj dite si fillimin më të bukur të një fushate elektorale të qytetëruar, e konsideroi këtë fillimin “de facto” të fushatës elektorale, pasi “de jure” ajo do të jetë në datën 22 mars.

Mbërrin në Tiranë zv.ndihmëssekretari Kantriman. Takohet me zyrtarë të lartë

SHBA: Çdo parti të mbajë përgjegjësitë e veta

Në Shqipëri edhe zv.sekretari amerikan Stejnberg. Nesër takim me Presidentin Topi

Zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën Juglindore, Tomas Kantriman, dhe ministri i Jashtëm të Shqipërisë Edmond Haxhinasto, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, kanë ndarë të njëjtin mendim për sa i takon situatës politike në vend, sipas së cilës çdo parti politike duhet të ushtrojë përgjegjësitë e veta. Opinionet dy zyrtarët e lartë i kanë prezantuar gjatë takimit që zhvilluan dje në mesditë. Pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan ministri i Jashtëm Haxhinasto mbajti një deklaratë për shtypin, të në cilën tha se SHBA-të mbështesin hetimin e plotë të ngjarjes së 21 janarit. “Patëm një takim në lidhje me situatën politike në vend. SHBA-të kanë mbajtur një qëndrim të qartë. Çdo parti politike duhet të ushtrojë përgjegjësitë e saj”, - tha Haxhinasto. Numri një i diplomacisë shqiptare në përpjekjet e tij për të transmetuar mesazhin e mysafirit amerikan tha se SHBA-të presin gjithashtu që zgjedhjet lokale të 8 majit të zhvillohen normalisht. “Mesazhi i SHBA-ve për zgjedhjet ishte ky: zgjedhjet presin që çdo parti të ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese për t’u dhënë mundësinë qytetarëve që në ditët në vijim të shprehin vullnetin në mënyrë demokratike sipas vullnetit”, - tha më tej Haxhionasto. Në takimin e djeshëm palët u fokusuan edhe në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet shumëpalëshe.

Zyrtari amerikan është takuar po dje edhe me liderin e partisë më të madhe në opozitë, Edi Ramën, dhe me prokuroren e përgjithshme, Ina Ramën. Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroziatike Kantriman mbërritur dje në Tiranë. Duket se ai do të përgatisë terrenin e vizitës së shefit të tij si dhe takimet e mundshme me drejtuesit e klasës politike. Ndërkohë në Tiranë ka mbërritur edhe zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Xhejms Stejnberg, i cili ka parashikuar që në orët e para të paradites të takohet me Presidentin e Republikës Bamir Topi, me të cilin do të diskutojë për gjetjen e një zgjidhje politike në vend.

Haxhinasto-Nibilo

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim me sekretarin kroat të Shtetit Mario Nibilo. “Bashkëpunimi rajonal është prioritet i politikës së jashtme, bashkëpunim ky i cilësuar si kualifikuese për në BE. Nuk janë vetëm deklarim vullnetesh, por ne kemi adoptuar një përqasje konkrete, që do të thotë lëvizje e lirë e kapitaleve që do të realizohen në vendin tonë”, - deklaroi ai në këtë takim. Haxhinasto përmendi si prioritete të tjera forcimin institucional dhe Kosovën.

Asistenca e OSBE-së

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Audronius Azubalis, duke folur për situatën e rënduar politike në Shqipëri gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, deklaroi se është i gatshëm të ofrojë të gjithë mbështetjen e duhur për zgjidhjen e krizës politike shqiptare, e krijuar mes mazhorancës dhe opozitës pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 28 qershorit 2009. Lituania kryeson presidencën e OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›