E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mes dilemës së zgjedhjeve të parakohshme dhe kryebashkiakut

25/02/2011  Partia Socialiste nuk ka ende një kandidaturë për Tiranën

Ndërkohë që Partia Demokratike dita-ditës po e konturon kandidatin e saj për Tiranën, nga ana e opozitës ende nuk ka ndonjë sinjal se kush do jetë favoriti për bashkinë më të madhe në vend. Edi Rama, i ndodhur mes dilemës së zgjedhjeve të parakohshme dhe aspiratës së tij për kryeministër, deklaroi para pak ditësh se emri i tij nuk është i lidhur domosdoshmërisht me atë të kryebashkiakut. Ndërkohë në tregun mediatik tashmë qarkullojnë disa emra, si Blendi Klosi, Eduard Shalësi apo Erion Veliaj, por gjithsesi ende nuk është dalë në një përfundim të qartë. Burime nga Partia Socialiste shprehen se Rama ka ndërmarrë edhe një testim për kandidatura të tjera alternative, por ende nuk ka emra konkretë në këtë drejtim. Ndërkohë duket se PS-ja nga ana e saj, pavarësisht se ende nuk ka dërguar emrat e komisionerëve në KQZ, sërish po merret me përzgjedhjen e emrave, së paku në rrethe. Në shumë prej bashkive kryesore emrat më të përfolur janë ata që tashmë drejtojnë pushtetin lokal, por nuk përjashtohet fakti që të dalin në sipërfaqe edhe emra të tjerë, çka do sillte jo pak qejfmbetje, po të kemi parasysh proceset e mëparshme dhe përjashtimet nga kandidimi të eksponentëve të tillë. Gjithsesi, lufta më e madhe politike do të bëhet për Tiranën dhe dihet që Rama është një kandidat mjaft potencial, por me sa duket pas tri mandatesh dhe pas 12 vjetësh si banor i parë i kryeqytetit gjërat s’janë më aq të thjeshta. Deri në zgjedhjet e 8 majit ka ende kohë për të shpallur kandidaturat, ndërkohë që po skadon afati për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Nga ana tjetër, zgjedhjet e 8 majit do të përdoren nga PS-ja edhe si referendum për të vërtetuar tezën e manipulimit të zgjedhjeve të kaluara. Në rast se fiton, atëherë pozitat e Ramës do të forcoheshin së tepërmi, po në rast të një humbjeje pozitat e tij s’do të ishin aq të qëndrueshme në postin e kryetarit.

Rama–Kantrimen

Një orë e 45 minuta ishte koha gjatë së cilës është diskutuar për situatën politike në Shqipëri dhe për zgjidhjen e krizës. Kreu i opozitës Edi Rama është takuar me zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit Tomas Kantrimen në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që sot pritet të mbërrijë në Shqipëri shefi i tij, zëvendëssekretari Shajnberg. Më parë Kantrimen e kishte vënë theksin te rëndësia e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe hetimi i plotë dhe i paanshëm i ngjarjeve të 21 janarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›