E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër Topallit: Jam i hapur të hetohem, deputetët të votojnë

25/02/2011  Kuvendi me 119 vota “pro” dhe 3 “kundër” i heq imunitetin Dritan Priftit

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në seancën e djeshme parlamentare votuan me 119 vota “pro” dhe 3 “kundër” për heqjen e imunitetit të Dritan Priftit. Kështu, me votimin e djeshëm Kuvendi i hapi rrugë kërkesës së Prokurorisë për hetimin e ish-ministrit të METE-s Dritan Prifti. Ish-ministri i Ekonomisë, i cili akuzohet nga Prokuroria për korrupsion aktiv pas videopërgjimit mes tij dhe zëvendësit të tij në ambientet e ministrisë Leonard Beqiri, ku ndër të tjera është filmuar duke ndarë me vartësin e tij në Ministrinë e Energjetikës një shumë prej 70 mijë eurosh. Tashmë Dritan Prifti, ashtu si dhe ish-kryetari i tij në LSI do t’u nënshtrohet hetimeve të organit të akuzës mbi video-skandalin 2, që iu dorëzua Prokurorisë nga vetë Dritan Prifti.

Mungesa. Letra e Priftit

Në seancën e djeshme plenare, ku Kuvendi do të merrte vendimin për heqjen e imunitetit të tij, Dritan Prifti nuk ishte i pranishëm në sallë. Në fillim të seancës ishte grupi parlamentar i LSI-së që kërkoi të vazhdohej me procedurën për heqjen e imunitetit. Një kërkesë kjo e përforcuar më tej nga kryeparlamentarja Topalli, e cila deklaroi se “vetë Prifti në Këshillin e Mandateve u shpreh se ishte gati të hetohej dhe të hiqte dorë nga imuniteti i tij si deputet”. Nga ana tjetër, me anë të një letre dërguar kryetares së kuvendit deputeti Prifti informoi se ka vendosur me vullnetin e tij për të mos marrë pjesë në seancë, pasi nuk do që kolegët e tij deputetë të ndikohen në votim. Gjithashtu ai u kërkon deputetëve të votojnë pro dhënies së autorizimit të Prokurorisë. Ekspertët amerikanë të hetimit arritën të identifikonin pjesë të tjera filmike në videon origjinale të bisedës së tij me Ilir Metën, që vetë Prifti dorëzoi në Prokurori. Sipas ekspertëve, videoja që ishte fshirë ishte regjistruar më 11.03.2010, ku flitet për përfitime të parregullta, ku ndër të tjera është filmuar ndarja e një shume parash prej 70 mijë eurosh mes ish-ministrit të Energjetikës dhe zv.ministrit të tij Leonard Beqiri.

Heqja e imunitetit të Metës

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan të mërkurën e javës së kaluar me 128 vota “pro”, dy “kundër” kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. Prokuroria kërkoi më 11 shkurt 2011 heqjen e imunitetit Ilir Metës dhe Dritan Priftit për të qartësuar pozicionin në lidhje me këtë video të dytë, sipas të cilës edhe Prifti është i përfshirë në një aferë përfitimesh në zyrat e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›