Bumçi: Berisha drejton ekipin politik të PD-së, kurse në PS kemi vetëm Edvinin, i cili s’po gjen dot më mercenarë
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, në një intervistë mediatike shprehet se çështja e pronës do të jetë një nga shtyllat kryesore ku do mbështetet platforma elektorale e demokratëve në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Deputeti Bumçi, ish ministër i drejtësisë, në intervistën e lartpërmendur pohon se në kongresin elektoral të PD-së më 23 maj do të shpaloset programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, por nuk do të ketë zgjedhje për forumet më të larta të partisë. "Me përgatitjen e programit po punon kryeministri dhe ekipi politik, që përfshin dhe forumet e partisë, në mënyrë të veçantë kryesinë e PD-së. Por, dua të përmend vetëm një shtyllë që do të ketë një vëmendje të veçantë, që është çështja e pronës. Një parti politike duhet t'i ketë të dyja në ofertën e saj, si programin dhe ekipin politik që qëndron pas tij dhe PD i ka të dyja këto. Në rastin e PS-së duket qartë se nuk ka ekip, z. Rama është i vetëm në këtë betejë, të tjerët në PS e shohin këtë si një periudhë tranzitore. Ndërsa sa për programin që ai deklaron se e ka prej 1 mijë faqesh, mjafton të kujtojmë se për 9 vite rresht Rama e la Tiranën pa plan rregullues, që është dhe programi i qytetit", cilësonte Bumçi në intervistën e tij. Duke u ndalur tek arsyet që Edi Rama në cilësinë e kryebashkiakut, nuk e hartoi planin rregullues të kryeqytetit, deputeti demokrat shprehej se "kjo ka një arsye shumë të thjeshtë; plani rregullues krijon transparencë dhe vendos rregulla të barabarta për të gjithë ndërtuesit dhe sipërmarrësit, por kjo do t'i lidhte duart Edi Ramës, se do t'i hiqte mundësinë që të ishte ai që do të vendoste se ku të ndërtohej dhe se kush të ndërtonte". Ish-ministri Aldo Bumçi, favoriti për të fituar zgjedhjet partiake për degën e Tiranës, sa i takon përmbylljes së zgjedhjeve në bazën e PD-së, proces që pritet të përfundojë me zgjedhjet në degën e Tiranës, deputeti demokrat thotë se "me mbarimin e grup-seksioneve të fundit që kanë mbetur, dhe besoj se kjo do të mbyllet shpejt, hapet rruga për zgjedhjet në degën e Tiranës dhe kryesinë e PD-së së Tiranës".I pyetur në intervistën e tij nëse do të ketë ndryshime lista për kandidatë e deputetëve të PD-së, ai shprehej se "të gjithë ata deputetë që fituan në zgjedhjet e 2005-s i kanë të gjitha cilësitë për të qënë kandidatë për deputet. Por, sa do të ndryshojë kjo listë, këtë nuk kam tagër dhe mundësi ta them. Për diçka jam i sigurt që do të ketë më shumë përfaqësim të grave në Kuvend". Lidhur me shtresat drejt të cilave po orientohet PD për të siguruar fitoren më 28 qershor, z. Bumçi cilëson se PD do të drejtohet ndaj të gjithë atyre shtresave që ishin pjesë e rrëzimit të komunizmit në vitin 1992, që janë po ato shtresa që mbështetën PD-në në vitin 2005, pra nga djathtas në qendër.
...