E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet deputeti, Topalli: Vrasja do dënohet ashpër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shkuar në Roskovec të Fierit për t'i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së deputetit të PS, Fatmir Xhindi. Topalli: Institucionet do e dënojnë me dënimin më të prerë". 

TIRANE- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, mbrëmjen e së shtunës në Qarkun e Fierit, si  një ngjarje e rëndë që i ka goditur të gjithë.

Në orët e para të mëngjesit, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka shkuar në banesën e deputetit Xhindi në qytetin e Roskovecit, rreth 18 km larg qytetit të Fierit ku u ka shprehur familjarëve ngushëllimet për këtë ngjarje të rëndë.
"Ne jemi të gjithë të tronditur për humbjen e një deputeti që ka një kontribut të jashtëzakonshëm", tha Kryetarja Topalli.
"Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur, miqve dhe kolegëve të tij, për humbjen e kolegut me të cilin kemi punuar prej kaq vitesh", tha Kryetarja e Kuvendit.

Më tej ajo shprehu mbështetjen maksimale ndaj forcave të policisë dhe të gjitha institucioneve që janë në kërkim të kriminelit, duke shprehur bindjen se "institucionet do e dënojnë atë me dënimin më të prerë".

Deputeti Fatmir Xhindi u vra me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:15, pranë shtëpisë në Rroskovec, ndërsa dilte nga makina e tij. Forcat e policisë dhe prokurorisë po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›