E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet deputeti, Ekspertët më të mirë nisin hetimet

Minsitria e Brendshme jep detajet e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi mbrëmë rreth orës 21.00. Zëdhënësi Konja: Ekspertët më të mirë janë angazhuar në zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e autorëve. 

TIRANE- Rreth orës 21:15 minuta nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Z. Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri.
Ministria e Brendshme informon se lajmi u konfirmua më pas nga autoritetet e spitalit të Fierit, ku deputeti Fatmir Xhindi ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje të rëndë pas goditjes me armë zjarri, për shkak të së cilës kishte humbur edhe jetën.

Pasi kanë mbërritur në vendngjarje forcat e policisë së Fierit kanë konstatuar se deputeti Fatmir Xhindi është goditur me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij në kohën kur sapo kishte parkuar automjetin e tij.

Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.

Në vendngjarje ndodhen drejtues të lartë të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe autoritetet e hetimit të krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Mësohet se policia së bashku me Prokurorinë e Qarkut Fier ka nisur hetimin dhe mbledhjen e të gjitha provave në vendngjarje.

Ministria e Brendshme njofton se janë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda dhe siguron opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi, se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për zbulimin e shkaqeve të saj dhe gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›