E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Djegia e fletëve? Do zbatohet ligji

Mazhoranca i hedh benzinë zjarrit para ngritjes së komisionit hetimor

Mazhoranca riciklon kërcënimin për djegien e fletëve të votimit, pikërisht pas deklaratës së opozitës se vazhdojnë negociatat mes Ruçit dhe Patozit për kapërcimin e krizës politike. Deputeti i PD-së, i cili është njëkohësisht dhe kreu i selisë blu për kryeqytetin, Aldo Bumçi, deklaroi dje se “KQZ-së nuk i mbetet veçse të zbatojë ligjin, duke iu referuar nenit 178 të Kodit, që flet për djegie të fletëve të votimit”. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Aldo Bumçi theksoi se ishte PS ajo që anashkaloi zgjidhjet për ngërçin politik, ndonëse në fund të muajit korrik u rikthyen negociatat, të cilat deri tani nuk sollën asnjë produkt. Bumçi shtoi në qëndrimin e tij se qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare janë të qarta mbi këtë çështje, kur shprehen se zgjidhja duhet të kalojë në kanale ligjore e kushtetuese. Për këtë, deputeti demokrat sjell në vëmendje dhe deklaratën e ambasadorit të ri amerikan për Shqipërinë. Ndërkaq, akuzave të opozitës për mungesë vullneti për zgjidhjen e krizës politike, Bumçi i është përgjigjur me kundërakuza. Për deputetin demokrat, kjo s’është veçse strategjia e kryetarit të PS-së, Rama, për të shmangur vëmendjen nga zgjedhjet lokale të 2011, sikundër shmangu ballafaqimin e tij publik për probleme të Tiranës. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar pritet që Presidenti të dekretojë datën për zgjedhjet lokale, bazuar në afatin kushtetues 9 muaj përpara përballjes elektorale. Në mbledhjen e parë të KQZ pas këtij momenti, ky institucion do të duhet të konsiderojë dhe qëndrimin lidhur me kutitë e votimit. Sipas Bumçit, KQZ-së nuk i mbetet veçse të zbatojë ligjin, duke iu referuar nenit 178 të Kodit, që flet për djegie të fletëve të votimit. Për Bumçin nisja e sesionit të ri parlamentar përkon me zhvillime të rëndësishme siç është vendimi për liberalizimin e vizave, njëkohësisht politika do të diskutojë buxhetin e ri 2011 si dhe do të përgatitet për zgjedhjet e reja lokale. Ndërkaq, deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Mark Marku, ka shtuar një tjetër hije pesimizmi në arritjen e një marrëveshjeje të plotë mes mazhorancës dhe opozitës për kapërcimin e krizës politike. Duke folur për negociatat, deputeti Marku, theksoi se beteja e PS-së për çështjen e hapjes së kutive të fletëve të votimit është tashmë e humbur. Sipas parlamentarit, i cili është edhe publicist i njohur, e vetmja zgjidhje e ngërçit do të ishte hapja e kutive të materialeve zgjedhore. Në mesin e muajit korrik janë zhvilluar dy takime zyrtare të numrave dy të PD-së dhe PS-së, përkatësisht Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit, por e vetmja pikë ku palët ranë dakord ka qenë ngritja e komisionit hetimor, i cili do të ketë shumicën dhe kryesimin e Partisë Socialiste. Por acarimi i situatës në seancat e fundit të Kuvendit, ku u fut për shqyrtim ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, bëri që edhe kjo pikë të mos konkretizohet, duke e shtyrë ngritjen e komisionit hetimor. Sipas gjasave, ai mund të ngrihet në nisjen e sesionit të ri në shtator, por që nuk përjashtohet një dalje nga axhenda. Megjithëse drejtues të PS-së bënë të ditur se vazhdojnë negociatat jo formale me mazhorancën, drejtues të PD-së kanë bërë të ditur të kundërtën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›