E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: PD do të marrë 5 deputetë në qarkun e Lezhës

20-05-2013 / Gazeta 55

Aldo Bumçi prezanton në Reps kandidaten për deputete, znj. Albina Dedaj

Ministri i Jashtëm njëkohësisht dhe kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet në qarkun e Lezhës, Aldo Bumçi së bashku me kandidaten tjetër të Partisë Demokratike për këtë qark znj. Albina Dedaj zhvilluan një takim me banorët e Repsit. Gjatë takimit ministri Bumçi duke vlerësuar investimet e realizuara nga qeveria demokratike tetë vitet e fundit tha se kjo është një arsye themelore pse alternativa e djathtë duhet votuar. Gjatë fjalës së tij, Bumçi u ndal edhe në akuzat ndaj Edi Ramës. “Ka nga ata që thonë apo mendojnë se duhet provuar Edi Rama si kryeministër. Unë mendoj se jo, jo vetëm për faktin që ai është kundërshtari, por se mendoj se ai është provuar dhe ka dështuar në atë provë. Këtë e treguan zgjedhjet lokale ku ai humbi 20 mijë vota. Të humbësh 20 mijë vota do të thotë të humbësh respektin. Kjo ka ndodhur më të. Tani ai iu largua Tiranës dhe kandidon në Vlorë së bashku me ortakun e tij Koço Kokëdhimën, njeriun me të cilin ka ndarë të gjitha pazaret për 11 vjet me radhë sa ishte në krye të Bashkisë Tiranë”. Duke prezantuar kandidaten tjetër për deputetë në këtë zonë, zonjën Albina Dedaj, Bumçi tha se “Kam nderin që në këtë zonë të kandidoj me vajzën, shoqen dhe kolegen tuaj. Albina ka spikatur me korrektësinë e saj, me dëshirën për të ndihmuar, me formimin e saj kulturor dhe arsimor. Këto janë tipare të mjekëve. Ky karakter i saj, këto të dhënë të saj kanë bërë që Partia Demokratike ta kandidonte këtë zonjë për deputet në zonën e Mirditës”- tha ministri Bumçi në fjalën e tij. Ndërsa kandidatja Dedaj gjatë këtij takimi premtoi më shumë zhvillim për zonën. “Gjatë gjithë karrierës time si mjeke dera e institucionit ku unë kam punuar ka qenë e hapur në çdo moment për këto të cilit i është dashur ndihma ime dhe e tillë unë do të vijoj të jem. Ne duhet ta votojmë Partinë Demokratike. Ne duhet ti japim pesë deputetë kësaj force politike. Duhet t’i themi “jo” bllokimit. Ne jemi një popull i zgjuar dhe e kuptojmë shumë mirë kush është bllokuesi, e kuptojmë fare mirë se cila është alternativa tjetër. Unë do të jem zëri juaj në kuvend, duke bërë që problemet tuaja të dëgjohen dhe të zgjidhen”- tha zonja Dedaj gjatë fjalës së saj. Pas këtij takimi në Reps kandidatët e Partisë demokratike kanë vijuar takimet e tyre banorë në zona të tjera të Mirditës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›