E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi, Përnaska dhe Noka sulmojnë ashpër Ramën

Deputetët e Partisë Demokratike kishin dje një komunikim të ngjeshur me median teksa akuzuan kreun e opozitës, Edi Rama, në ditën e çlirimit. Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, dhe deputetja Lajla Përnaska dolën njëri pas tjetrit në konferenca për shtyp ku pasi kanë mbështetur akuzat e Kryeministrit Berisha ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, i kanë bërë thirrje PS-së të ndërpresë bojkotin për t‘u rikthyer në Kuvend. Deputeti Flamur Noka, gjatë konferencës, i ka bërë thirrje kreut të opozitës të mos përdorë deputetët e Qarkut të Kukësit për interesat e tij personale duke shtuar se ata po përdoren nga person i sëmurë psikik. Më tej, Noka ka mbështetur akuzat personale të Kryeministrit Berisha ndaj Ramës. Madje, ai i ka përforcuar ato duke deklaruar se Rama ka dhunuar bashkëshorten e tij duke u shprehur se asnjë person nuk bën veprime të tilla, ndërsa nuk hezitoi t‘i bënte thirrje opozitës të futet në Kuvend. Sakaq, edhe deputeti tjetër demokrat, Aldo Bumçi, deklaroi se bojkoti i opozitës është në interes të klanit të tokave, duke i bërë thirrje Ramës të çlirohet nga kapja e mafies. Bumçi i kërkoi kreut të opozitës të respektojë Parlamentin Europian për t‘i dhënë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend. Pavarësisht deklaratave të spektrit të majtë politik, deputetët demokratë kanë vazhduar sulmin e akuzave ndaj kryesocialistit Rama. Ndonëse në konferenca të ndryshme, tre demokratët kanë dalë dje njësoj me qëndrimet e tyre, të vendosur për të mos plotësuar kushtet e opozitës. Pritet që opozita të vendosë se çfarë masash do të marrë, ndërkohë që ka paralajmëruar përshkallëzim të protestave. Deputetët demokratë duket se po zbatojnë më së miri skemën e Kryeministrit Berisha për të ‘luftuar‘ opozitën. Këmbënguljes së Partisë Socialiste në idenë e hapjes së kutive të votimit, Partia Demokratike i përgjigjet me sulm personal, jo ndaj Partisë Socialiste, por vetëm ndaj kreut të saj, Edi Ramës, dhe disa prej mbështetësve të tij. Beteja anti-Rama nisi më 23 nëntor me një deklaratë të nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, dhe u përshkallëzua një ditë më pas nga kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili me një grup deputetësh demokratë të Qarkut Tiranë renditën një sërë akuzash ndaj kryetarit të Partisë Socialiste. E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›