E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja: Paqe pa luftë apo luftë për paqe

1. Protesta opozitare për "transparencën e kutive", një demonstrim force në përshkallëzim, u pasua nga fillimi i demonstrimit të forcës nga mazhoranca. Kur ende shpresohej se çështja mund të merrte rrugë ligjore e institucionale, opozita tregon vendosmërinë për të vazhduar përqasjen radikale me risk të lartë e në rritje progresive të shkarjes së saj në zonën aligjore e më pas në zonën antiligjore. Mjetet që po përdor, ndonëse të ligjshme deri tani, janë kaq disproporcionale, sa vetë ky disproporcion është në dëm të kushtetutshmërisë. Si në një bipol perfekt, pas një faze ofrimi konsensusi brenda Kushtetutës, mazhoranca tregohet e gatshme të masë forcat me opozitën. Koha do provojë nëse vazhdimi i demonstrimit të forcës do na çojë në njërin nga dy drejtimet e mundshme: "paqe pa luftë" apo "lufta për paqen".

2. Paqja pa luftë mund të ndodhë në dy raste: I) opozita u rikthehet mënyrave ligjore dhe institucionale të trajtimit të kërkesave të saj për hetimin e zgjedhjeve; II) mazhoranca jep konsensus edhe në çështje për të cilat ekziston, në rastin më të mirë, dyshimi i arsyeshëm për papajtueshmëri me Kushtetutën të kërkesës opozitare. Mënyra e parë është zgjidhja. Mënyra e dytë jo vetëm që mund të cenojë kushtetutshmërinë sot, por do të hapte një shteg ripërsëritjeje të frikshme e ciklike në të ardhmen pra, është një paqe që premton luftë.

3. Pas luftës, herët a vonë vjen paqja. Pyetja është se çfarë paqeje! Edhe këtu shfaqen dy rezultate në varësi të fitimtarit: I) luftën e fiton mazhoranca II) luftën e fiton opozita. Në rastin e parë rezultati do të jetë një paqe në dizekuilibër të fortë. Opozita do kalojë një fazë të gjatë delegjitimimi dhe dobësie. Do duhet shumë kohë të rikuperojë. Pak a shumë si opozita e PD-së 1998-2000 edhe pse në atë kohë kishte qindra, qindra herë më shumë arsye se PS-ja sot. Nga ana tjetër, mazhoranca do qeverisë në kushtet e një opozite të dobësuar me riskun e forcimit të aspekteve negative qeverisëse. Në luftë, Kushtetuta, ligji, të drejtat dobësohen dhe shkelen. Nëse luftën e fiton opozita, përveçse një fitore me mjete të dyshimta jokushtetuese, paqja do lerë të hapur mundësinë, herët a vonë, për një revansh me të njëjtat mjete të palës së mundur.

4. Nga katër zhvillimet e mundshme tre janë qartësisht kundra interesit publik të sotëm dhe afatgjatë. Vetëm njëra rrugë është në shërbim të këtij interesi. Ndaj duhen bërë të gjitha përpjekjet për të rikthyer opozitën në rrugën e trajtimit ligjor dhe institucional të çështjes së transparencës zgjedhore. Kthimi në Kuvend, aktivizimi i hetimit parlamentar, testimi i hapësirës dhe metodës hetimore në Gjykatën Kushtetuese është metoda bazë. Aktivizimi i prokurorisë apo përdorimi i të drejtës së informimit janë mënyra të tjera alternative e paralele. Secila mënyrë është e garantuar. Opozita jo vetëm ka të drejtë t‘i eksplorojë këto mënyra, por ka edhe detyrimin publik për t‘i eksploruar ato. Mungesa e fakteve mbi të quajturin "manipulim zgjedhor" e bën edhe më të fortë këtë detyrim. Ndërkaq, le të protestojë sa dhe si të dojë për çështjet ditore qeverisëse ndonëse protestat partiake s‘janë një kulturë europiane sipas Piere Mirel, drejtori për Ballkanin i BE-së

5. Ka ca gjasa, por jo shumë, që demonstrimi i forcës të çojë, i vetëm, te rikthimi i opozitës në rrugën ligjore institucionale. Nëse do ndodhte, gjithsesi, ky do ishte një rikthim nga zori, bazuar në analizën racionale të forcës, një rikthim për të evituar skenarin e tretë me kosto të rëndë për vetë opozitën. Opozita duhet kthyer edhe me ndërgjegje në këtë drejtim. Për aq sa ç‘bën hapa kthesë opozita duhet kërkuar edhe vetëfrenim nga ana e mazhorancës. Ndaj është bërë i domosdoshme aktivizimi i palëve të treta në mbrojtje të kushtetutshmërisë. Çështjet e tjera qeverisëse, interesat vetjake, simpatitë apo anshmëritë politike mund të kalojnë në dorë të dytë në raport me rrezikun që po merr trajtë dhe masë të frikshme. Të tretët mund të jenë të majtë, të djathë, mbi, në mes apo përtej tyre. Mjafton të mos jesh i lidhur me pasion të verbër dashurie dhe/ose urrejtje apo me interes qoftë banal apo okult me njërin krah apo tjetrin.

6. Ndërtesa institucionale është streha jonë e përbashkët. E kemi ngritur me mund bashkërisht. Aty jetojmë dhe do të jetojmë. Ndërkaq, një palë e banorëve po përgatitet ta sulmojë për ta poseduar pjesën e palës tjetër për pretendime të supozuara të së drejtës së posedimit, qoftë edhe duke e shkatërruar pjesërisht apo tërësisht godinën. Tek e fundit rëndësi ka trualli. Godina ngrihet përsëri. Pala tjetër po përgatitet për ta mbrojtur. Tani për tani po mbron, bashkë me pjesën e saj të certifikuar të posedimit, edhe gjithë godinën. Do vazhdojë kështu apo do detyrohet që të luftojë edhe ajo deri në nivelin e truallit? Po të tretët? Do futen në mes? Do kërkojnë zgjidhjen ligjore të pretendimeve apo do t‘i lënë palët të bëjnë luftën e tyre lirshëm? Shkurt, do lëvizin apo presin t‘i zënë rrënojat?

7. Liderët e palëve në konflikt po përdorin çdo mjet përfshirë dhunën dhe kërcënimin real apo verbal. Militantë nxjerr në shesh opozita, po i përgatit të vetët edhe mazhoranca. Nëpunës e punonjës bashkiake, "të prekur në sedër", nxjerr në shesh opozita. Përgatitet të nxjerrë në shesh edhe makinat e plehrave apo ato të ndërtimit. Punonjës e makina ka edhe mazhoranca, gati për çdo rast. Sindikata e shoqata po ngre opozita. Po i bën gati edhe mazhoranca. Polici bashkiake opozita, polici shteti mazhoranca. Shkresa për shkelje nxjerrin edhe njëra edhe tjetra. Nuk do jap shërbimet bashkiake thotë opozita, të shkarkoj i thotë mazhoranca. Do të të bllokoj hyrjet e ministrive kërcënon opozita, hajdeni po jua mbajti përgjigjet mazhoranca. E gjitha në emër të Kushtetutës, demokracisë, zhvillimit.

8. "I Korruptuar/hajdut; i lidhur me krimin/kriminel; i çmendur/skizofren..."; i kanë thënë dhe i thonë liderët njëri-tjetrit. "Malok/shpellar" i thotë njëri; "pervers/homo" i thotë tjetri. Të dy e zgjerojnë dhunën verbale me rrethin familjar, miqësor e politik. Të dy veprojnë drejtpërdrejt apo me bashkëpunëtorë. Njëri është më sistematik dhe më estetik. Tjetri vepron me faza dhe me më pak stil. Njëri e fillon, tjetri e pason dhe anasjelltas sa herë ia lyp nevoja e taktikës së momentit. Të dy të ushqyer simetrikisht nga të vërteta të njohura, hipoteza të pavërtetuara apo të pavërteta të shitura si të vërteta. Një pjesë e mirë e mbështetësve, shqiptarë të gjithë, i brohorasin respektivisht dhe shajnë në krahun e kundërt vetëm.

9. Simetria është absolute në veprim edhe në fjalë. Demonstrimi i forcës i plotë dhe i gjithanshëm. Të tretët: një pjesë janë tulatur, një pjesë po bën sehir, një pjesë po komentojnë se kush shan më shumë, një pjesë shqetësohen se fëmijët dhe gratë po dëgjojnë fjalë të rënda. Ndërsa konflikti mund të shpërthejë dhe godina të rrënohet. Sa mirë do ishte pa këto fjalë të rënda! Por ama po japin sinjalin se do kemi konflikt, nuk janë fjalë në erë. Ndaj duhet ndërhyrë.

10. Demonstrimi i forcës ka më shumë gjasa që të mos arrijë të sjellë vetiu paqen pa luftë. Opozita duket e eksituar nga perceptimi i forcës së saj. Në fakt, perceptimin e ka vetëkrijuar dhe tani po e vetëbeson. Ky është një kurth i rrezikshëm. E ka krijuar për mazhorancën dhe po bie vetë. Opozita duket se s‘po analizon me kthjelltësi as forcën e vet dhe as riskun e rënies në alegalitet apo ilegalitet të veprimeve të saj.

11. Opozita s‘është aspak më e fortë se mazhoranca. Situata radikale pa shkaqet e arsyeshme s‘mund të krijojë më shumë mbështetje se ajo zgjedhore. Në fakt shumë më pak. Ndërkaq, veprimet masive me natyrë radikale tentojnë, herët a vonë, të dalin nga kontrolli edhe nëse s‘është fare ky qëllimi. Në situata të tilla aktivizohen segmentet e errëta të shoqërisë, që e kanë në natyrën e tyre të përdorin mënyra dhe mjetet antiligjore. Aty janë. Po presin momentin. Vetëm në situata ekstreme, kur luftohet tirania, mundet që situata radikale e revolucionare të prodhojnë rezultat shoqërisht të dëshirueshëm. Shqipëria nuk është në tirani. Shqipëria është një shtet demokratik e ligjor, anëtare e NATO-s dhe shumë më brenda në Bashkimin Europian sesa jashtë tij. Demokracia dhe shteti ligjor kanë plot defekte, por kanë të gjitha mjetet ligjore t‘i riparojnë ato. S‘kemi nevojë për radikalizëm apo revolucion. Kemi nevojë vetëm për qetësi dhe konstruktivitet.

12. Të tretët duhet ta bëjnë të qartë se kërcënimi, apo dëmtimi i godinës institucionale e ligjore është i papranueshëm për to, është i pashkëmbyeshëm me çdo ofertë tjetër. Palët duhen nxitur të garojnë kush e kush më shumë në favor të kushtetutshmërisë. Europa tha qartë dhe prerë. SHBA gjithashtu: "Opozita të shkojë në Kuvend; atje të gjejë zgjidhjen me mazhorancën." Të tretët janë faktori i balancës së forcave në favor të kushtetutshmërisë. Kërkohet qëndrimi dhe veprimi i tyre sa s‘është vonë. E kanë bërë dikur dhe me sukses. Po vepruan sot, ka shumë pak, gjithnjë e më pak deri aspak mundësi se situata të tilla do mund të përsëriten në të ardhmen. Pak nga të tretët po veprojnë për momentin. Kërkohen edhe të tjerët prej tyre. Na duhet paqe e kushtetutshme. Vetëm kjo është paqe e qëndrueshme. Kushti bazë për progres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›