E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Prokuroria po manipulohet nga PS-ja

Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, i është përgjigjur prokurorisë se ndarja e çështjeve për gjykim në Gjykatën e Tiranës bëhet në mënyrë elektronike.

Deputeti Bumçi dënoi atë që ai e cilësoi "manipulim të organit të Prokurorisë së Përgjithshme nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama". Zëdhënësi i grupit të PD-së reagoi ndaj akuzave të ngritura nga opozita, e cila është shprehur se "shorti i gjykimit të dosjes së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, është devijuar drejt gjykatësish që janë të lidhur me PD-në". "Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të kryetarit Rama, manipulimin e ulët që i bën Prokurorisë së Përgjithshme dhe sulmet ndaj drejtësisë, i kujtojmë se Shqipëria është vendi i shtetit ligjor dhe i qytetarëve të lirë", u shpreh deputeti Bumçi. Sipas tij, "deklarata e sotme në media përbën një përshkallëzim të ri të presionit ndaj drejtësisë, duke dëshmuar dhe një herë që Rama është formuluesi i akuzës politike ndaj ministrit Basha". Ai sqaroi dhe procedurat që ndiqen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndarjen e gjykimeve. "Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është Ilir Gjergj Sauli, i emëruar në vitin 2004 nga ministri i Drejtësisë i kohës, Fatmir Xhafaj. Shorti për ndarjen e çështjeve për gjykim kryhet në mënyrë elektronike", sqaroi Bumçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›