E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama, gjykatave: Po mbani njerëz në burg pa të drejtë

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kanë shkëmbyer dje replika në distancë gjatë një takimi në Ministrinë e Drejtësisë, ku ishin ftuar për të diskutuar në lidhje me respektimin e të drejtave dhe trajtimit të të dënuarve në Shqipëri. Kryeprokurorja gjatë fjalës tha se gjykata nuk zbardh në mënyrë të përshpejtuar vendimet e lirimit të të dënuarve dhe vendimin e sjell po me vonesë në prokurori, duke vështirësuar punën. Një gjë e tillë, sipas numrit një të akuzës, sjell mbajtjen për një kohë të gjatë të njerëzve pa të drejtë në burg, megjithëse ndaj tyre mund të ketë mbaruar dënimi apo të jenë liruar gjatë masës së sigurisë. Një problem i tillë ishte mjaft i dukshëm gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti, ku dhjetëra persona u mbajtën pa të drejtë në burg. Ndërsa në qytetin e Shkodrës një qytetar qëndroi plot 40 ditë në burg pa të drejtë. Për këtë rast kreu denoncim ministri i Drejtësisë ndaj dy prokurorëve. Çështja u hetua nga Prokuroria e Elbasanit dhe hetimet u devijuan në Gjykatën e Shkodrës, e cila nuk kishte zbatuar me përpikmëri vendimin dhe nuk kishte njoftuar prokurorin përkatës. Duke u bazuar edhe te precedentët e mësipërm, kryeprokurorja kritikoi veçanërisht Gjykatën e Faktit për mungesë serioziteti. Sipas Ramës, kjo gjykatë nuk njofton për të dënuarit nëpër burgje. "Gjykata nuk njofton për pushimin e çështjeve ndaj kjo ka bërë që shumë të dënuar me burg të mbeten në qeli jashtë afateve të dhëna nga gjykata", tha ajo. Diskutimin më pas e ka vazhduar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Ai ka akuzuar prokurorinë për zgjatje të hetimeve jashtë afateve të parashikuara në ligj. Sipas tij, kohëzgjatja e hetimeve, shkel ligjin për të dënuarit. Duke folur për kushtet në burgjet shqiptare, Dibra theksoi se ato janë të mbipopulluara jashtë çdo kapaciteti të mundshëm. Në tryezë foli edhe ministri i Drejtësisë, Alibeaj, duke marrë rolin e "gjyqtarit". Ministri nga ana e tij kërkoi kapërcimin e hendeqeve mes institucioneve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›