FBI lë detyra për policinë e Shkodrës
Oficerët e FBI-së, pasi kanë prangosur dy të kërkuarit në Shkodër për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike kanë lënë detyra të posaçme për policin e Shkodrës në lidhje me dy vëllezërit Shtiza. Burime konfidenciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër pohuan për gazetën "Shqip" se oficerët e FBI-së, menjëherë pasi kanë prangosur dy vëllezërit Fatbardh e Vrion Shtiza u kanë lënë disa detyra agjentëve të policisë kriminale të Shkodrës. Po sipas të njëjtit burim mësohet se konkretisht agjentët e FBI-së kanë kërkuar të kenë të detajuar të gjithë veprimtarinë e dy vëllezërve Shtiza në qytetin e Shkodrës, që nga koha kur ata janë kthyer nga SHBA. Kryesisht, interesimi për dy të arrestuarit ka të bëjë me aktivitetin e tyre ekonomik në Shkodër dhe lidhjet shoqërore, pasi agjentët e FBI-së dyshojnë se aktiviteti i tyre në trafikimin e lëndëve narkotike është zhvendosur nga SHBA në Shqipëri. Kjo, sipas Policisë së Shkodrës, bëhet për llogari të FBI-së dhe të gjitha informacionet që do grumbullohen do të dërgohen me postë sekrete drejt Amerikës. Po sipas burimeve nga policia mësohet se agjentët e FBI-së kishin dy ditë që ndodheshin në qytetin e Shkodrës dhe në fshehtësi të plotë, në bashkëpunim me një numër tepër të kufizuar agjentësh të policisë së Shkodrës kanë mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet e dy të kërkuarve, deri në prangosjen e tyre. Dy vëllezërit Fatbardh Shtiza, 36 vjeç dhe Vrion Shtiza, 30 vjeç, u arrestuan të enjten në mbrëmje në banesën e tyre në qendër të Shkodrës, nga agjentë të FBI-së dhe agjentë të policisë së Shkodrës në kuadër të operacionit sekret të koduar "Letërporosia". Arrestimi i dy personave në fjalë është bërë për llogari të FBI-së, pasi ata ishin në listën e të kërkuarve për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në shtetin e Nju Xhersit në SHBA. Dy vëllezërit Shtiza kishin disa muaj që ishin kthyer në Shkodër, pasi kishin qëndruar për tetë vjet në SHBA.