E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria po influencon në proceset gjyqësore

Partia më e madhe e opozitës ngre dyshime të forta për procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve në çështjet "Basha" e "Fazliç". Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, i bëri apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia. Sipas tij, në një kohë kur kjo qeveri duhet të mendojë, punojë dhe bashkëpunojë seriozisht me opozitën për reformimin e sistemit të drejtësisë, opinioni publik shqiptar dhe partnerët ndërkombëtare marrin përditë prova të reja të deformimit të marrëdhënieve mes qeverisë e drejtësisë. "Sot ne ngremë zërin për manipulimin e shortit për gjykimin e dy dosjeve që janë bërë objekt i debatit publik dhe që lidhen njëra me Lulzim Bashën dhe tjetra me sekserin serb të Sali Berishës", theksoi ai. Në vlerësimin e Manjanit, të dyja këto dosje janë devijuar drejt gjykatësish të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike dhe kjo ka ndodhur në shkelje të plotë të Kodit të Procedurës Penale, të ligjit e të etikës së domosdoshme për çdo lloj gjykimi e jo më për gjykimin e këtyre dy skandaleve të mëdha me prapavijë të qartë politike e dëme të dukshme ekonomike e morale për qytetarët shqiptarë. Manjani sqaroi se në bazë të nenit 278/2 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha veprimet hetimore dhe vlefshmërinë e tyre e shqyrton i njëjti gjyqtar, pra në rastin konkret, gjyqtari i cili gjykoi tri javë më parë kërkesën për pezullimin e afateve lidhur me hetimin e dosjes penale të Lulzim Bashës, duhet të shqyrtonte edhe kërkesën e të pandehurit Lulzim Basha. Por, shtoi ai, kjo nuk ndodhi dhe përmes kancelarit të kontrolluar politikisht nga Ministria e Drejtësisë dhe në kundërshtim flagrant me kërkesat e procedurës penale, u hodh një short i paligjshëm, që e çoi ministrin e Partisë Demokratike në duart e një gjykatësi të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike. "Ndërsa nga ana tjetër u mor një gjyqtar i seksionit të të miturve, por i lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike për të gjykuar dosjen e Damir Fazliçit, i cili siç e dinë të gjithë, nuk është aspak i mitur, por përkundrazi një i rritur që ka probleme madhore me ligjin e që është kthyer në një problem madhor për Sali Berishën", u shpreh Manjani. Sakaq ai nënvizoi se kur sistemi i drejtësisë shqiptare merret me ministrat, trajtimi i çështjeve të lidhura me ta është gjykuar gjithnjë vetëm nga Gjykata e Lartë, në bazë të kërkesës së Kushtetutës, por edhe të praktikës së Gjykatës së Tiranës. Drejtuesit e Partisë Socialiste denoncuan publikisht këtë farsë politike dhe i bënë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia as ministrin e pandehur dhe as sekserin serb të Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›