E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësim edhe në burgje

Të burgosurit që duan të ndjekin shkollën do të kenë mundësi të arsimohen aty ku kryejnë dënimin. Ministria e Arsimit do të marrë përsipër realizimin e anës pedagogjike të procesit mësimor, duke përfshirë vënien në dispozicion të mësuesve, si dhe pajisjen me mjete mësimore. MASH gjithashtu do të përgatisë programe specifike për procesin mësimor. E drejta e arsimimit për të paraburgosurit dhe të dënuarit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ishte objekti i një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar dje në MASH nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, dhe ai i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. "Tashmë ka 146 të dënuar që kanë kërkuar të marrin pjesë në këto kurse, të cilat do të zhvillohen brenda burgjeve. Të interesuarit janë qoftë të ciklit të parë, qoftë të ciklit të dytë të arsimit 9-vjeçar", tha Beja. Ministria e Drejtësisë do të marrë përsipër sigurimin e kushteve, klasa të përshtatshme dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme në burgje. Do të sigurojë transportimin e mësuesve, kur këto institucione ndodhen larg nga qendrat e banuara, shërbim psikologjik dhe social për procesin e mësimdhënies. Mësuesit që do të japin mësim në këto institucione do të jenë të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas kërkesave të Drejtorisë Arsimore përkatëse. Me mbarimin e klasës apo shkollës, i dënuari do të përfitojë dokumentin përkatës, certifikatë apo diplomë, i cili është i njëvlershëm me ato të përfituara nga shkolla të të njëjtit nivel jashtë institucionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›