E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Mal të Zi: S‘do ketë regjim vizash mes dy vendeve

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, zv. kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u takua dje në Podgoricë me Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviç. Gjatë këtij takimi, Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Malit të Zi u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe energjetikës. Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë dakord për hartimin e një strategjie të përbashkët për integrimin reciprok të të dy vendeve në strukturat euroatlantike. Ministri shqiptar, pasi shprehu mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve shton garancinë e paqes dhe stabilitetit në rajon. Dy bashkëbiseduesit ranë gjithashtu dakord për ngritjen e Komitetit Ekonomik për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e të dy palëve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e Liqenit të Shkodrës. Po dje, Meta takoi edhe Kryetarin e Parlamentit, z. Ranko Krivokapic, në Podgoricë. Gjatë takimit me homologun e tij, z. Milan Roçen, zv.kryeministri Meta, i konsideroi marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si të shkëlqyera dhe vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, z. Meta u shpreh optimist për marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si "model për vendet e tjera fqinje që duan të ecin në rrugën e integrimit". Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera, u shpreh z, Meta duke shtuar se "këto vende kanë një vizion dhe një objektiv të përbashkët për të ardhmen: anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi". Roçen trajtoi edhe çështjen e lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve duke theksuar se "edhe pasi Mali i Zi të përfitojë liberalizimin e vizave me BE-në, vendi i tij nuk do të ndryshojë regjimin e vizave me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë dhe ata malazezë do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve respektive".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›