Tentoi të shtypte 5 policë, pranga 20-vjeçarit
Fier-Nuk ka zgjatur shumë arratia e 20-vjeçarit të shpallur në kërkim nga policia e Sarandës.
Arrestimi është bërë nga policia e Fierit, e cila ka vënë në pranga të kërkuarin Rades Musai. Ai pasi plagosi me armë një person gjatë një sherri në një disko të Sarandës, në tentativë për t’i shpëtuar policisë, shtoi shpejtësinë dhe rrezikoi të shtypte 5 policë.
“Ai ishte shpallur person në kërkim nga ana e komisariatit të Sarandës për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë; armëmbajtjes pa leje dhe mosbindje ndaj urdhërit të policisë, ngjarje të kryera në qytetin e Sarandës më datën 06.08.2008”- thanë burimet policore.
Policia ka bërë të mundur kapjen e tij pas një punë intesive dhe survejuese që ka zgjatur rreth 30 orë. Shtetasi Rades Musai, banues në Sarandë, lagja nr 3, pasi i ka shpëtuar policisë ishte fshehur në lagjen “1 Maji” në Fier.
Pas informacioneve policia rrethoi zonën dhe pastaj bëri të mundur arrestimin e tij.