E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Çdo qytetar, të drejtë të shohë dosjen e tij

Tiranë- Çdo qytetar ka të drejtë të shohë dosjen që ish Sigurimi i Shtetit ka hapur për të gjatë regjimit komunist. Bazuar në eksperiencën gjermane për hapjen e dosjeve, partia Demokratike kërkon që ky element i ri, t’i shtohet draftit të projektligjit për dosjet.

Deklaratën e ka bërë sot gjatë një konference për shtyp, relatori i projektligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", Aldo Bumçi, sipas të cilit, eksperienca gjermane në hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete është më e plota në gjithë Europën Lindore. Mbi këtë eksperiecë, ai kërkoi që në projektligj të përcaktohet e drejta e qytetarëve për t'u njohur me dosjen e tij.

"E drejta për t'u njohur me dosjen e sigurimit i takon çdo qytetari, çdo i persekutuar në regjimin komunist ka të drejtë të njihet me dosjen e tij", -tha ai, duke kërkuar edhe konsensusin e Partisë Socialiste për miratimin e këtij projektligji të rëndësishëm.

Sipas propozimit të ri, jo vetëm zyrtarët e lartë, por gjithë qytetarët kanë të drejtë të njihen me dosjet e tyre, ndërkohë që sipas Bumçit, dosjet nuk bëhet publike për këdo.

“Kontrolli i subjekteve që i janë nënshtruar një herë këtij procesi është një pikë që na ndanë nga PS. Qëndrimi i PS-së është se nuk duhet të ketë riverifikim të atyre që janë verifikuar një herë më parë nga komisionet e mëparshme”- tha ai, duke shtuar se komisioni duhet të përfaqësojë të gjitha palët për të mos u përdorur kundër askujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›