Braçe: Vendi në mort, Berisha, shpenzime luksi
Tiranë- "Të papërgjegjshëm, të pandjeshëm dhe me kosto të lartë që rëndon mbi shqiptarët". Kështu e ka cilësuar sot, nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, kreun e qeverisë, duke iu referuar tragjedisë së Butrinit dhe udhëtimit të fundit të Berishës në Berat.
“Nëse çdo minutë po konsumohet tragjedia njerëzore, ajo që po del në pah në po kaq kohë është papërgjegjshmëria e kryeministrit dhe pandjeshmëria humane e Sali Berishës. Ky njeri, gjeti dje kohë të degustojë verën, po e përsëris, ky njeri gjeti dje kohë të degustojë verën, por nuk pati asnjëlloj ndjeshmërie njerëzore apo skrupulli moral prej babai dhe prej gjyshi për të shkuar dhe ngushëlluar familjen e Demir Bakiut, në Perondi të Beratit, babait të Elvirës 22-vjeçare dhe gjyshit të Klarës 3-muajshe”- tha ai, sot gjatë një konference për shtyp.
Duke mbetur në temën e ditës, tragjedinë e Butrinitit, Braçe ka kujtuar se viktimat janë shtuar, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga familjarët e tyre.
Në gjithë këtë situatë, sipas tij, del në pah korruptimi, inekzistenca, ineficienca e qeverisësë Sali Berishës, rigjallërimi i pasigurisë në kufij ekstremë. E në fund fare po del në pah paraliza totale e agjencive ligjzbatuese të shtetit, duke nisur nga Policia e Shtetit, tek ajo kriminale, tek policia e kufirit, që edhe sot 4 ditë larg nga momenti i konsumimit të tragjedisë nuk është në gjendje të na thotë, sa viktima ka në atë kanal, jo në det por në atë kanal varrezë.
“Mungon Policia e Shtetit, ajo mungoi edhe natën e tragjedisë për ta parandaluar atë dhe që vazhdon të mungojë edhe për ta kuruar atë, dhe tani na shfaqet thjesht dhe vetëm në një rol të panatyrshëm për të, në atë të shërbimeve funerale”- tha ai, duke shtuar se kjo papërgjegjshmëri e përsëritur në forma edhe më tragjike e kriminale po bën që Berisha të rritet e të plaket në luks, kurse vitet e të rinjve të shkurtohen çdo ditë e më tepër.
Sipas tij, në kohë morti dhe përballë këtyre tragjedive, në kohë krize qeveria ka gjetur të lëshojë dorën në shpenzime luksi. “Udhëtimi dje i Sali Berishës me taksinë e tij fluturuese, sipas çmimeve të ditës që aplikohen në të tilla raste, pa TVSH, na kushtoi 1000 Euro në orë udhëtimi dhe 250 Euro kosto e pritjes prej 5 orësh që i bëri kryeministrit në ahengun e tij në Berat. I gjithë ky shpenzim është i barabartë më 1 milionë e gjysëm lekë të vjetra ose me 15 pensione qyteti dhe 30 pensione fshati”- theksoi Braçe.
Ai e ka quajtur një shpenzim skandaloz nga paratë tona, nga paratë e shqiptarëve, nëse e krahason me ato 40 mijë lekë të vjetra që do t’i kishte kushtuar udhëtimi Sali Berishës, po të kishte marrë rrugën për në Berat me makinë, me makinën që po prapë e paguajnë taksapaguesit. Me paratë e shqiptarëve që paguajnë, sipas tij, Sali Berisha po mbiçmon fushatën e tij të dhunës mediatike ndaj shqiptarëve me 1 milionë lekë të vjetra për çdo spot, për një transmetim. Janë disa transmetime në ditë, që kushtojnë vetëm për një televizionin 4 milionë lekë të vjetra në ditë e të cilat janë të barabarta me të paktën 40 pensione në qytet dhe 80 pensione në fshat. Pra qytetarët duhet të dinë se spotet e Sali Berishës që i gënjejnë kushtojnë kaq dhe vetëm për një televizion.
Sipas tij, ka një arsye pse Sali Berisha nuk udhëton mbi rrugë, por fluturon në qiell. Ai në tre vjet nuk ka përfunduar, nuk ka dorëzuar për shfrytëzimasnjë autostradë të rëndësishme që do të ndihmonte të udhëtonte sot nëpër Shqipëri çdo shqiptar dhe natyrisht edhe atë vetë. Pikërisht për këtë arsye Sali Berisha nuk është në tokë, por është në qiell. Nuk është në makinë mbi rrugë, por është në ajër me helikopter.
“Në rast se ky njeri do t’ju mbushë mendjen shqiptarëve se ata janë të sigurt në vendin e tyre, atëherë duhet të shkojë në Butrint, duhet të shkojë sot, tamam atje, buzë atij kanalit varrezë prej muajsh dhe të na japë arsyen pse njerëzit mbyten atje, pse njerëzit humbin jetën atje”- tha ai.