Projektligji, paraqitet në komision Avokati i Shtetit
Tiranë - Shteti do të ketë një mbrojtës të tij kur paditet nga qytetarët në gjykatë. Projektligji për Avokatin e Shtetit është paraqitur sot në Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Për herë të parë në Shqipëri pritet të ngrihet një organizëm i ri që do të mbrojë shtetin në proçeset gjyqësore dhe mbi të gjitha do të ketë objektiv këshillimin e institucioneve shtetërore për të mos shkuar deri në gjyq.
Sipas Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Eduard Halimi, nëse ligji i hartuar nga qeveria do të miratohet, Avokati i Shtetit do të jetë një strukturë në vete me zyra dhe punonjës. “Avokati i shtetit do të jetë prezent në çdo bashki dhe komunë për të këshilluar punonjësit e administratës të mos hapin konflikt me qytetarët”, shtoi ai.
Po kështu, Avokati i Shtetit do të mbrojë shtetin shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Opozita e kundërshtoi këtë ligj. Sipas deputetit Pandeli Majko, tani qytetarët duhet të paguajnë taksa që shteti të jetë i mbrojtur me avokat.
Por Halimi argumentoi se “ky institucion është i domosdoshëm sidomos për ato çështje që qytetarë shqiptarë kanë çuar për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare. “Shteti shqiptar ka humbur mjaft gjyqe edhe për shkak të mbrojtjes së dobët”, tha ai. Mësohet se qytetarë shqiptarë kanë paditur shpeshshherë shtetin e tyre në gjykatën e Strazburgut. Aktualisht në këtë gjykatë janë plot 120 padi, të gjitha për çështje pronash.