E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do privatizojmë gjithë aksionet shtetërore

Tiranë- Qeveria do të privatizojë të gjitha aksionet që ka në sipërmarrje e kompani të ndryshme, pasi ligji që përcakton në një masë të caktuar detyrimin shtetëror për të qenë aksioner, tashmë është i tejkaluar. Sipas kryeministrit Sali Berisha, qeveria ka mision e detyra të tjera dhe nuk do të jetë më aksionere në ekonomi.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Berisha ka deklaruar se në këtë kuadër do të realizohet një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike.

Hapi i parë është bërë sot me vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në kompaninë e telefonisë celulare AMC. Sipas Berishës, qeveria, në kuadrin e politikave të privatizimit, është e vendosur të heqë dorë, nëpërmjet proceseve ligjore transparente, nga pronësitë e sipërmarrjet që duhet të privatizohen dhe nga ajo ç’ka mbetur nga privatizimi.

Për këtë ai ka garantuar shitjen në mënyrë transparente të aksioneve në të gjitha sipërmarrjet ku jemi aksionerë.

Duke iu referuar ligjit, që përcakton në një masë të caktuar detyrimin shtetëror për të qenë aksionere, Berisha ka deklaruar se “fryma e këtij ligji u diktua nga përdorimi i mendësisë publike, mendësi e cila tashmë është e tejkaluar. Nuk ka sektor ekonomik në vend, në të cilin sektori privat të jetë më i avancuar. Deri më sot kanë mbetur të tilla pikat, shtyllat e tensionit, aksione dhe puse nafte.”

Edhe pse me shumë kontestime nga opozita për mungesë transparence, Berisha ka deklaruar se provatizimet e bëra kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre.

Sipas tij, INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8-12 kompani, do të privatizohet brenda vitit. Në të njëjtën rrugë do të jenë edhe aksionet e Telekomit dhe të ARMO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›