Vonesat e rrugës transballkanike, faji mbetet sërish jetim
VLORË - Me gati një vit vonesë nga afati i përcaktuar për përmbylljen e përfundimeve të rrugës transballkanike në Vlorë, pengesat për përfundimin e saj hidhen e priten ndërmjet vendorit dhe pushtetit qendror. Në deklaratën e fundit që bëri kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Vlorë, fajin për mospërfundimin e punimeve ia faturoi bashkisë. “Bashkia e Vlorës nuk po iu përgjigjet detyrimeve”,- tha kreu i qeverisë. Në mbledhjen e djeshme të KRRT-së, kreu i bashkisë, Shpëtim Gjika, tha se bashkia i ka mbyllur të gjitha detyrimet e saj për rrugën dhe nuk ka asnjë efekt negativ në rehabilitimin e saj. “Bashkia e Vlorës është e hapur për bashkëpunim”,- tha Gjika, “por jo të mbajë përsipër përgjegjësi që nuk i takojnë”. Afati i mbylljes së punimeve në rrugën transballkanike, cilësuar edhe si investimi më i madh infrastrukturor rrugor në qytet, ishte përcaktuar nëntori i vitit 2007. Aktualisht, rruga e njohur për procesin e vështirë të shpronësimit, është ende e papërfunduar, ku një pjesë segmenti nuk i është nënshtruar asnjë punimi nga ana e firmave zbatuese. Ajo është asfaltuar në pjesën më të madhe të gjatësisë, ndërsa ndërpritet nga disa pjesë. Transballkanikja, ose Rruga e Paqes, një nga akset më të rëndësishme në Vlorë, po rikonstruktohet nga një investim i qeverisë shqiptare me një vlerë prej afro 7,3 milionë dollarë. Për rrugën, e cila ka një gjatësi prej 2,8 kilometrash, parashikohet një zgjerim me dy korsi, nga 11 metra secila, e ndarë në mes me gjelbërim, ndërkohë që projekti përfundimtar parashikohet dhe me trotuarë.
KRRT miraton 21 projekte publike
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës miratoi dje 11 detyra projektimi dhe 10 leje ndërtimi për projekte publike. Ndër projektet e paraqitura, të cilat morën të gjitha miratimin, ishin ato të sistemimit të unazës, rruga e plazhit të vjetër, një qendër shëndetësore, muzeu historik dhe disa ambiente shkollash. Me cilësinë e kreut të KRRT-së, kryetari i bashkisë, tha se mbi 80% e 12 detyrave të studimit, do të realizohen me fondet e Bashkisë Vlorë.