Bumerangu i talljes së xhelatëve të diktaturës me tolerancën e demokracìsë
Kanë kaluar 20 vjet nga përmbysja e diktaturës dhe thuajse asnjë nga xhelatët e kësaj të fundit nuk është penduar sinqerisht. Dhe kjo nuk buron nga mosnjohja e krimeve që kryen prej tyre, as nga “përralla” e zbatimit të ligjeve të kohës, as nga bashkautorësía, me të cilën këta demonë u përpoqën të komprometonin njerëzit me vijën e tyre kriminale të masave. Jo! Themeli i krekosjes së tyre qëndron në tolerancën e tejskajshme, që ka treguar deri më sot ndaj tyre demokracía; në prirjen e viktimave për t’ia dhuruar kësaj demokracíe vuajtjet e tyre, në inercínë fatale të atij terrori, jehona e të cilit gjëmon endé në shpirtrat e disa njerëzve të mashtruar. Se jo më kot komunizmi synoi poshtërímin e njeriut. Jo pa qëllim i detyroi ai shqiptarët të miratonin mizorítë e tij. Jo padashur diktatura, më shumë se lirinë dhe pasurinë, u lakmoi njerëzve dinjitetin dhe shpirtin e tyre human. E, megjithatë, ajo nuk mundi ta depersonalizonte dot shqiptarin në shkallën sa ky të mohonte veten. Mund të duket paradoksale, por e kaluara tenton të mbijetojë edhe pasi është shembur sistemi, mbi të cilin qëndroi. Komunizmi u soll në Shqipërí gati, në mos edhe më keq se një pushtues i huaj. Asnjë uzurpator nuk do të guxonte ta katandiste shumicën e një populli, sa t’i bëhej vdekja më e ëmbël se jeta. Kurse diktatura komuniste, pasi u rrëmbeu njerëzve pasurinë, pasi u zhduku fëmijëve prindërit, i dëboi këta nga shtëpitë, i la pa shkollë e pa profesion; u kërkoi të kishin kryefamiljarin në punë për t’u dhënë një triskë buke (kur këta kryefamiljarë ua kishte zhdukur vetë!). Në fund, u kërkoi dhe vërtetim nga këshilli i lagjes se nuk takonin të atin që dergjej në burg, apo nënës, që ua degradonte në psikiatri, pastaj u kërkonte me dajak që të bëheshin dhe spiunë. Se vetëm kështu, të degraduar, ajo mund t’i punësonte të pastronin fekalet e qytetit. Dhe shumë prej këtyre xhelatëve, këtyre antishqiptarëve, janë sot gjallë dhe, duke shfrytëzuar tolerancën e demokracísë, krekosen ndër vetura moderne, pasi kanë pushuar në vila luksoze bregdetare, të pasuruar me pronat e po këtyre viktimave, si dhe të përfaqësuar në parlament vetë, apo me bijtë e tyre po aq cinikë. Dhe janë përsëri shumë nga këta xhelatë, apo bijtë e tyre, që kërcënojnë rishtas viktimat nga tribuna gjyqesh, ku tallen përsërí dhe me gjithë ata, të cilët besojnë ende se mund të fitojnë prej tyre ndonjë të drejtë. Ndërkohë që viktimave, të zhdukura prej tyre, nuk u dihen as eshtrat dhe për to nuk është ngritur endé një monument kujtimi, apo një muze, ku të rrëqethen edhe gurët e sokakëve nga mizorítë kanibaleske të këtyre “idealistëve” të gënjeshtrës më ogurzezë. Ndonëse viktimat as e presin, as e duan ndjesën e këtyre xhelatëve, ato përsërí e kanë zgjidhur “enigmën” se përse këta xhelatë nuk pendohen. Dostojevski thotë :” Kush e provoi pushtetin mbi atë që në bazë të ligjit të Krishtit është vëllai i tij ( njeriu për njerínë ), kush e provoi këtë pushtet dhe u deh nga gjaku, atij iu denatyruan ndjenjat dhe iu bënë normale shfaqjet më anormale!”. Xhelatët e diktaturës janë mësuar t’u duket e papranueshme pendesa për krimet e tyre monstruoze. Kurse tolerancën e demokracisë dhe fisnikërínë e viktimave i çmojnë si inerci të asaj “forcës” së mizoríve të tyre të djeshme. Apo si atë misterin e sistemit të tyre të hurit e të litarit. Ndërkohë që bujarínë e demokracísë e kanë marrë si një dobësí të saj, si një paaftësí të humanizmit për të luftuar të keqen. Sepse, si të terrorizuar, këta mëkatarë janë lidhur bisht më bisht si minj të infektuar, me qëllim që, duke mbajtur fort njërí-tjetrin, ta mbajnë lidhur pas vetes edhe shoqërínë me atë komprometimin, që arritën t’i bënin asaj duke e turpëruar me mikun, me shokun, me fqinjin, apo dhe me veten ! Ta mbajnë të lidhur pas vetes me atë turpin, që nuk e lejuan t’i shkonte mikut në varrim, t’i ngushëllonte krushkut vdekjen e nënës, e tj. Kurse tolerancën e demokracisë këta xhelatë po e përdorin si një parzmore, prapa së cilës të garantojnë privilegjet e reja. Ndoshta prandaj nuk detyrohen t’i kërkojnë ndjesë këtij populli, nga i cili ende nuk u ka hyrë një gjemb në këmbë. Prandaj shohim sot xhelatë të mbajnë leksione demokracíe në parlament, në tempullin e lirisë; të bëjnë edhe ligjin nëpër faltoret e Drejtësísë. Ndoshta prandaj ka arritur puna sa xhelatët të guxojnë t’u kërkojnë viktimave që këto t’i votojnë përsërí, për t’i sjellë rishtas vrasësit e tyre në pushtet, edhe pse janë po këta xhelatë që po ua pengojnë çdo ditë integrimin, aspiratën, për të cilën këto viktima u martirizuan. Është e qartë, pra, që xhelatët e diktaturës as që e çmojnë tolerancën fisnike të viktimave dhe atë të demokracísë. Se, dhe kur dekorohen, këta xhelatë kënaqen që kështu lëndojnë mijëra plagë viktimash. Madje, xhelatët e diktaturës as që duan vlerësim, ngaqë ende nuk e kanë ndierë atë forcën titanike të përbuzjes së të martirizuarve prej tyre, gjithë atë neverí fisnike, që do ta bënte të skuqej nga turpi edhe harbuti më i pacipë! Se nuk është ngritur endé ajo furtunë përbuzjeje masive, ai uragan i tmerrshëm akuzash të drejta, ai mallkim i frikshëm i një opinioni të tërë, që do t’i detyronte këta xhelatë të vinin në kokë shamitë e grave, sa herë të guxonin të dilnin në dritaret e vilave të tyre. Sepse demokracia, me përkushtimin e saj prej një shenjtoreje, përpiqet të zgjojë njeriun edhe tek këto kafshë me fytyra njerëzish, të cilët ia shitën dje shpirtin djallit, me qëllim që dhe këta të kuptojnë thellë ligësínë e tyre. T’i bëjë të kuptojnë se liría synon të zgjojë edhe në vetëdijet e tyre të çoroditura nga krimi atë shkëndijë dëshire për t’u ndierë, qoftë edhe për një çast njerëz! Por deri atëherë xhelatët e diktaturës do të vazhdojnë të tallen me tolerancën fisnike të viktimave e të demokracísë!