E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-OSBE: Mbështesim integrimin, pas reformës zgjedhore, Shqipëria do marrë statusin e vendit kandidat

10-03-2012 / Gazeta 55

Bashkimi Europian dhe OSBE-ja inkurajojnë politikën shqiptare të punojë për të përmbushur 12 rekomandimet e KE-së për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, qëllimi i Shqipërisë është integrimi në BE, një qëllim që duhet t’i bashkojë të gjithë shqiptarët. Ajo shprehu zotimin e mazhorancës për përmbushjen e detyrimeve të integrimit dhe të çdo rekomandimi që rrjedh nga marrëveshjet e anëtarësimit në BE

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje se “shumë shpejt Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”. Këtë gjë kryetarja e Kuvendit e bazon në votimin e ligjeve me 3/5 dhe ecurinë e reformave. Gjatë fjalës së saj në konferencën e gjashtë të Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit, ku mori pjesë ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, kryeparlamentarja tha se “gjatë kësaj periudhe në Kuvend jemi përballur me sfida të ndryshme, ndërkohë që reformat në vend po ecin në rrugën e duhur, janë në proces reforma parlamentare dhe zgjedhore”. “Ne shqiptarët e ndiejmë veten evropianë, ne jemi evropianë, ne qëndrojmë në mes të Evropës, ne nuk jemi në periferi të Evropës, historia jonë është një histori që na ka bërë të jemi vetëm një orë larg Romës, Vjenës, Athinës.
Nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë, nuk ka qenë një rrugë pa pengesa, por për sa kohë që shqiptarët në masën 96 % duan që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, asnjë forcë politike nuk mund t’i ikë këtij objektivi madhor. Sado që ky proces të pengohet apo vjen për të cilin flasin shqiptarët. Është një proces që nuk mund të ndalet. Gjatë kësaj periudhe në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht jemi përballur me sfida të ndryshme, sfida ekonomike ka qenë një sfidë e rëndësishme, por për fatin tonë të madh, ne nuk kemi kaluar në recension. Sfida e integrimit, është po aq e rëndësishme, dy janë kolonat kryesore në të cilat kanë punuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe ashtu besoj edhe në vend tuaja. Shtylla e ekonomisë dhe shtylla e procesit të integrimit. Në muajt e fundit ka pasur një përparim, një progres në drejtim të plotësimit dhe votimit të disa ligjeve të rëndësishme që kërkonin jo vetëm votat e mazhorancës por edhe votat e opozitës. Është punuar dhe janë votuar disa kode të rëndësishme. Sot që ne flasim, janë në proces dy reforma të tjera, reforma parlamentare dhe reforma zgjedhore, të cilat po avancojnë bazuar në një marrëveshje të 14 nëntorit”- u shpreh ajo. Kryeparlamentarja vuri në dukje se parlamenti është forumi qendror dhe për integrimin e vendit, ka detyrën parësore në përmbushjen e reformave. “Parlamenti është forumi qendror. Në rastin e Shqipërisë dhe në fazën e të cilës jeni , ai është një institucion  që ka detyrat kryesore. Nëse në procese të tjera ishte qeveria, kësaj radhe e ka parlamenti, 90% e ka parlamenti. Kur them këtë kam parasysh të gjitha forcat politike. Duke reflektuar mbi këtë pjesë të parë. Ambasadori Seqiu tha se: “Evropa është shumë serioze, unë e besoj”. Në frazën e dytë ai tha ne duhet të jemi të sinqertë. Unë them se kështu duhet, të jemi të gjithë të sinqertë. Të gjitha forcat politike duhet të jenë të sinqerta”. Po ashtu, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se në vijim të përmbajtjes së marrëveshjes politike të 14 nëntorit, Kuvendi nis të hënën shqyrtimin e ligjit për Gjykatën Administrative, projektligj i cili ka mbetur prej 2 vitesh në pritje të votës së opozitës. “Të hënën në komisionet parlamentare do të filloj shqyrtimi i njërit prej ligjeve më të rëndësishme që për fatin tonë të keq ka mbetur në sirtar për shkak të bllokimit. Shqyrtimi  ligjit për “Ngritjen e Gjykatës Administrative”. Unë vlerësoj premtimin e kryetarit të Partisë Socialiste që do ta votojë këtë ligj”- tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit gjeti rastin t’i adresojë një thirrje Partisë Socialiste për amendimin e ligjit të kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë. Sipas saj, drafti është gati me variantin e sugjeruar nga Komisioni i Venecias, ndërsa ajo që nevojitet, është vullneti politik. Unë do të ftoja që të votojmë dhe ligjin për heqjen e imunitetit. Nëse kemi probleme si vendet e tjera të rajonit me korrupsionin, ne duhet të bëjmë dhe një hap të rëndësishëm. Me cilin do variant, me ndryshim të Kushtetutës të heqim imunitetin. Me variantin e sugjeruar nga Komisioni i Venecias, të heqim imunitetin. Apo me variantin ekzistues që kemi sot në parlament duke shtuar deklaratat e pjesës tjetër të deputetëve të opozitës, të heqim imunitetin. Jo vetëm të deputetëve, por dhe të gjykatësve. Të të gjithë atyre zyrtarëve të lartë, të cilët ende e mbajnë dhe që nuk i bën nder askujt”- deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Topalli falënderoi trojkën e ambasadorëve, veçanërisht ambasadorin Sequi dhe Wollfarth, për insistimin e tyre në përmbushjen e reformave dhe rikthimin e dialogut politik. “Unë dua të falënderoj me sinqeritet, ambasadorin Sequi, ambasadorin Wollfarth, por edhe  të gjitha ata, që gjatë kësaj periudhe përmes inkurajimit të tyre, i kanë dhënë punës edhe në Kuvendin e Shqipërisë një impuls të rëndësishëm, duke e vendosur atë në një treg të rëndësishëm, treg që në fakt është ajo që koinçidon dhe konverton me objektivin tonë kombëtar”- theksoi kryetarja e Kuvendit. Kuvendi i Shqipërisë organizoi dje si kryesues i radhës, Konferencën e Gjashtë të Komisioneve parlamentare të Integrimit evropian të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Asociim Stabilizimit (COSAP). Në këtë konferencë merrnin pjesë parlamentarë nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Turqia dhe Mali i Zi, si dhe nga Kroacia, vend me eksperiencë të suksesshme në procesin e  integrimit evropian. Në qendër të punimeve ishin diskutimet për inkurajimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe solidaritetit mes parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rrugën për anëtarësim në BE.

Wollfarth: Të përparohet reforma zgjedhore

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha se procesi i integrimit është në krye të axhendës së Brukselit dhe mbështet Shqipërinë në këtë proces. Sipas tij, sfidat e qeverisë mbeten drejtësia dhe reforma ligjore. “Sistemi gjyqësor dhe besimi në drejtësi është me rëndësi në një vend demokratik. Ka qenë mbresëlënëse që orientimi i qartë i qeverisë dhe i parlamentit për miratimin e ligjeve sipas standardeve të BE-së. Po ju inkurajojmë të mishëroni vlerat e BE-së për ti përdorur në praktikat e përditshme”- u shpreh Wollfarth. Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë theksoi se reforma zgjedhore është një nga çështjet e rëndësishme për tu zgjidhur. “Reforma zgjedhore është një nga çështje për të cilën ju jeni të njohur. Një reformë zgjedhore përbën një pikat nga më të rëndësishme për ta çuar më tej zhvillimin demokratik. Reforma kërkon një kuptimshmëri në nivelin politik, dëshirë politike. Besimi ndërmjet aktorëve kryesorë është me rëndësi në mënyrë që kjo reformë të finalizohet në kohën e duhur” - vuri në dukje ai. Wollfarth u ndal edhe në reformën e pronave, duke kërkuar avancim edhe në këtë drejtim. “Legjislacioni konfliktual ka çuar në ndalimin e zbatimit të ligjeve dhe procese gjyqësore të vonuara dhe cenimin e sigurisë ligjore. Qeveria duhet të falenderohet për draftin e strategjisë për pronat dhe shpresojmë që kjo të hapë dritën jeshile për miratimin e ligjeve përkatëse”- shtoi ambasadori Wollfarth.

Sequi: BE mbështet anëtarësimin e Shqipërisë

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi vlerësoi se Bashkimi Europian mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe e ka treguar këtë politikisht dhe ekonomikisht, ndërsa nënvizoi se është përgjegjësia e Shqipërisë që kjo mbështetje të kthehet në rritje dhe integrim. “Është shumë e rëndësishme që të mbështesim këto arritje. Më lejoni të them që BE-ja është aktor real, ne jemi seriozë dhe mbështetës në atë çfarë themi dhe e kemi demonstruar politikisht dhe ekonomikisht. BE është donatori më i madh në Shqipëri, për të cilën janë investuar gjysmë miliarda euro që nga 2007. Është përgjegjësia e Shqipërisë që kjo mbështetje të kthehet në rritje dhe integrim për qytetarët e këtij vendi” - u shpreh Sequi. Sipas tij, Shqipëria ka bërë hapa përpara në procesin e integrimit por mbeten ende shumë punë për tu bërë. “Lista e 12 prioriteteve përbën një kusht për të ecur përpara në procesin e integrimit. Janë bërë përparime por mbeten ende gjëra për tu bërë. Në këtë proces duhet të ketë angazhim të plotë dhe të sinqertë”- tha ai.
Sequi gjithashtu ka theksuar se një element i rëndësishëm për integrimin është edhe dialogu parlamentar i cili sipas tij do të vërtetonte që integrimi europian është një proces i rëndësishëm. “Intensifikoni dialogun me takime të ngjashme dhe bëni progres përpara në rrugëtimin tuaj drejt BE”- theksoi kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, në Tiranë, Ettore Sequi.

Bregu: Integrimi, projekt kombëtar, do dorëzojmë planin e veprimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu në fjalën e saj theksoi se sfidë mbetet dorëzimi i plan veprimit për 12 prioritet, ndërsa u shpreh se pavarësisht ndasive politike të përbashkët me opozitën kemi ndërgjegjësimin që ky është një proces mbarëkombëtar
“Sfida jonë është dorëzimi i plan veprimit për 12 prioritetet. A kemi mundur ta bëjmë çdo gjë me perfeksion? Pavarësisht ndasive politike të përbashkët më Ditmirin kemi ndërgjegjësimin që ky është proces mbarëkombëtar. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët, nuk mjaftojnë dhe nuk janë as të tepërta komentet që kërkon opozita kur thotë se duhet seriozitet” - deklaroi ministrja Bregu.

Meta: Sfida jonë e madhe bashkëpunimi politik

Për kryetarin LSI-së, Ilir Meta sfida më e madhe e integrimit mbetet bashkëpunimi politik, ku një rëndësi të madhe ka dialogu politik mes palëve, që sipas tij duhet të kemi një zë të përbashkët në Europë. Gjatë fjalës së tij mbi arritjet dhe sfidat e Shqipërisë gjatë procesit të integrimit evropian, në Konferencën e 6-të të Komisioneve Parlamentare të Integrimit të Shteteve Anëtare të MSA-së, z. Meta tha se Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në plotësimin kritereve të Kopenhagenit, por se kriteri politik ende mbetet sfidë madhore për integrimin. Në këtë plan, z. Meta u shpreh se marrëdhëniet e një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më aktiv midis Ministrisë së Integrimit dhe Komisionit Parlamentar të Integrimit, si po vihet re edhe kohët e fundit, janë të rëndësishme sepse këto në thelb janë dhe raportet midis Qeverisë dhe Parlamentit për çështjet e integrimit evropian. “Është për t’u theksuar është rëndësia e forcimit të dialogut politik, që po të themi të drejtën është diçka që nuk po shkon në përputhje me dialogun e qytetarëve çdo ditë në Shqipëri, pavarësisht përkatësive partiake, dhe kjo klimë tepër pozitive duhet të na ndihmojë ne politikanëve për të qenë më bashkëpunues me njëri tjetrin për një qëllim kaq të madh që i bashkon të gjithë shqiptarët, sikurse është integrimi evropian”- u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai shtoi se kohët e fundit ka një progres të rëndësishëm dhe premtues në drejtim të zbatimit të planit të veprimit për 12 prioritetet sidomos në drejtim të reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe fushën e drejtësisë. Në këtë kontekst, z. Meta theksoi rëndësinë e fuqizimit të mëtejshëm të rolit të Komisionit Parlamentar të Integrimit, si dhe të bashkëpunimit me Ministrinë e Integrimit në shërbim të efikasitetit të zbatimit të planit të veprimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›