E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi/Dashamir Tahiri: Pjesëmarrja në qeveri s’është kompetencë e Greqisë, të njihet gjenocidi ndaj çamëve

10-03-2012 / Gazeta 55

Deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri i përgjigjet deklaratës së zëdhënësit të MPJ greke, Delavekouras lidhur me përfshirjen në qeveri të kësaj partie. Ai i kujton përfaqësuesit të Athinës se PDIU nuk është një parti nacionaliste, por një forcë politike konstruktive që respekton minoritetin. Sipas tij, detyrë për Greqinë është të respektojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Shqipërinë si dhe të njohë gjenocidin grek ndaj popullsisë çame

Reagimi i plotë i deputetit Dashamir Tahiri - “Në vijim të deklaratës së djeshme të Ministrisë së Jashtme Greke dëshiroj t’ju bëj me dije se PDIU është më shumë se pala greke, e interesuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mire, sepse kështu ne e shohim veten më pranë njëri - tjetrit, më pranë të drejtës sonë, më pranë pronave dhe shtëpive tona, të cilat Greqia forcërisht dhe pa asnjë të drejte po na i mohon akoma dhe sot.
Leksionet e MPJ të Greqisë shpresojnë të vlejnë për të dy palët dhe të respektojnë marrëdhënien e reciprocitetit. Marrëdhënie e mirë është edhe të mos pengoni një deputet të parlamentit të Shqipërisë të vizitojë pronat e veta dhe shtëpinë ku kanë lindur të parët e vet në Çamëri; marrëdhënie e mirë është të mos pengoni të moshuarit tanë në kufi për të vizituar shtëpitë e tyre të lindjes; marrëdhënie e mirë është të mos mbani më në këmbë “ligje lufte” dhe pengesa të tjera ligjore dhe administrative kundër nesh; marrëdhënie e mirë është edhe njohja e gjenocidit edhe kërkimi i faljes për ato mijëra të vdekur, të përndjekur, të vrarë e të përdhunuar pa asnjë motiv.
Ne nuk jemi parti ultra nacionaliste si ato që keni ju në parlamentin tuaj.
Ne i respektojmë minoritetet dhe i mbështesim ato të bëhen pjesë e jetës sonë politike. Por, është përtej kompetencave tuaja dhe reciprocitetit të sipër përmendur të jepni leksione se cila parti shqiptare duhet të bëjë pjesë në kabinetin qeveritar shqiptar kur ne mirëpresim të gjithë minoritetin tuaj, të jetë i përfaqësuar në të.
Marrëdhënie e mire është të mos vendosësh kushte për integrimin e Shqipërisë për të shpikur varre in-ekzistente me ushtarë grekë duke na grabitur kockat e gjyshërve tanë, për t’i mbushur ato; marrëdhënie e mirë është të respektoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave; marrëdhënie e mirë është t’i dorëzoni drejtësisë shqiptare të kërkuarit për dhunim të varreve dhe shumë të tjera si këto. Besoj në reflektimin tuaj se marrëdhënia e mirë përcaktohet nga standarde dhe parime ndërkombëtare dhe jo nga dëshirat dhe ëndrrat tuaja të hershme politike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›