E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga, para Serie A

Nga sezoni 2012-13, Bundesliga do të ketë katër vende të ndara për Ligën e Kampionëve, duke marrë një pozitë që deri më tani ishte okupuar nga Serie A. Pavarësisht triumfit të Interit në edicionin e kaluar të garës, Italia është tejkaluar nga Gjermania në pozitën e tretë të koeficientit të UEFA-s. Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 09:23

Liga gjermane e Futbollit (DFL) ka konfirmuar se në sezonin 2012-2013 të Ligës së Kampionëve do të jenë katër skuadra nga Bundesliga. Si rezultat, Serie A do të ketë vetëm tre pjesëmarrës.

Pas rezultateve të fundit dëshpëruese të ekipeve nga Serie A në garat evropiane, ku të tre skuadrat italiane në Ligën e Kampionëve Milan, Inter dhe Roma janë mposhtur në shtëpitë e tyre në ndeshjet e para të fazës eliminatore të garës, ndërsa Napoli, përfaqësuesi i vetëm i Italisë që kishte mbetur në garë në Europa League, u eliminua të enjten pas humbjes 2-1 në Villarreal.

Nga rezultatet negative të skuadrave italiane kanë përfituar ato gjermane, që i kanë tejkaluar ata në ranglistën e koeficientit të UEFA-s. Kjo nënkupton se, pavarësisht triumfit të Interit në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve, Italia tani është mjaft prapa Gjermanisë në ranglistë, distancë që nuk mund të rikuperohet.

“Si rezultat i rezultateve të kësaj jave në garat evropiane, me fitoret e Bayern Munichut dhe Bayer Leverkusenit si dhe eliminimin e Napolit, Gjermania ka shtuar epërsinë e saj ndaj Italisë në ranglistën e koeficientit të UEFA-s, duke siguruar pozitën e tretë prapa Anglisë dhe Spanjës”, thuhet në komunikatën e DFL-së.

“Klubet gjermane tani kanë grumbulluar 68.103 pikë dhe kanë shtuar epërsinë ndaj skuadrave nga Serie A (59.981) në 8.122 pikë. Italia nuk mund të rikthejë pozitën e tretë gjatë këtij sezoni. Duke siguruar pozitën e tretë në ranglistën e UEFA-s, Bundesliga do t’i ketë tri vende në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve nga sezoni 2012-13, ndërsa përfaqësuesi i katërt gjerman do të fillojë nga play-offi i garës”, thuhet në vazhdim të komunikatës. Ndryshimi nënkupton se nga 2012-13 në Europa League nuk do të ketë vend për ekipin që përfundon i gjashti në Serie A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›