Grozny, ofertë milionëshe për Ronaldon e pensionuar

Terek Grozny, klubi i vogël por ambicioz nga Çeçenia, është i gatshëm të ofrojë 8 milionë dollarë amerikanë për ish sulmuesin brazilian Ronaldo, në mënyrë që ai të anulojë vendimin për pensionim, ka shkruar një e përditshme nga Moska të premten.
Lajmi vjen vetëm një javë pasi një tjetër klub nga jugu i Rusisë, Anzhi Makhachkala transferoi mbrojtësin veteran brazilian Roberto Carlos në kontratë dyvjeçare.
E përditshmja Tvoi Den ka njoftuar se bisedimet mes klubit nga Premierliga ruse dhe 34 vjeçarit Ronaldo do të zhvillohen në Grozny më 8 mars, kur disa prej anëtarëve të ekipit fitues të Kombëtares braziliane nga Kampionati botëror 2002 do të vijnë për të zhvilluar një ndeshje ekzibicionale. Thuhet se Grozny është i gatshëm t’i ofrojë Ronaldos kontratën për 18 muaj.
“Ronaldo së fundmi ka njoftuar për përfundimin e karrierës së tij profesioniste në futboll, por ai tashmë është ftuar të vjen në Çeçeni, edhe pse ende nuk është marrë një përgjigje nga braziliani”, tha një menaxher rus i futbollit, i njoftuar mirë rreth situatës.
Terek ka ngritur profilin e tij nga janari dhe befasoi botën e futbollit, duke angazhuar legjendën e futbollit holandez Ruud Gullit si trajner.