E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis me derbi

Stinori pranveror në hendboll do të fillojë me derbin ndërmjet dy pretendentëve për titull, Besës dhe Prishtinës. Trajnerët e të dy skuadrave, Taib Kabashi dhe Fatmir Muhaxhiri, synojnë fitore, derisa kandidat serioz për titull e shohin edhe Kastriotin, me gjithë krizën që pati. Nga Driton Berisha më 26 shkurt 2011 në ora 12:11

Pjesa e dytë e kampionatit në Superligën e Kosovës në hendboll do të fillojë të shtunën (sot), me ndeshjen derbi ndërmjet lideri Besa Famiglia dhe Prishtinës.

Përballja ndërmjet dy skuadrave që pretendojnë titullin e kampionit do të zhvillohet në paleshen e sporteve ‘Karagaçi’ në Pejës, derisa do të fillojë në orën 19:00.

Trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, mendon se takimi i së shtunës do të jetë vendimtar për bardhekaltrit në garën për titull, pasi Besa ka gjashtë pikë më shumë sesa Prishtina, e cila radhitet e treta.

“Prishtina i ka filluar stërvitjet me kohë dhe jemi të përgatitur mirë. Në Pejë shkojmë për fitore, pasi për skuadrën tonë është treni i fundit për titullin e kampionit. Nëse humbim gjasat do të jenë minimal për titull. Besa ka përparësi pasi luan si vendas edhe ka bërë disa përforcime me lojtarë kualitativë, por edhe ne kemi një ekip me lojtarë të rinj dhe perspektivë”, ka thënë Kabashi për Express.

Në anën tjetër trajneri i Besës, Fatmir Muhaxhiri, vlerëson lart Prishtinën, por beson se skuadra e tij do t’i gëzohet fitores, pasi në klub ka hendbollistë kualitativë dhe me eksperiencë.

“Edhe pse temperaturat janë të ftohta, ndeshja do të jetë shumë e nxehtë. Prishtina ka ekip perspektiv, por ne kemi bërë disa përforcime dhe me një angazhim të hendbollistëve, të cilët kanë eksperiencë, besoj se do ta kalojmë edhe këtë pengës”, ka deklaruar Muhaxhiri për Express.

Të dy trajnerët, Kabashi dhe Muaxhiri, mendojnë se përkundër krizës që ka pasur në klub, kandidat serioz për titullin e kampionit do të jetë edhe skuadra e Kastriotit, e cila zë vendin e dytë në tabelë me 24 pikë të tubuara.

Kastrioti të shtunën pret fitoren në përballje me Vjosën, derisa Vëllaznimi do të jetë nikoqir i Kosovës së Vushtrrisë. Ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Trepçës do të zhvillohet më 2/3 shkurt.

Superliga, xhiroja 15-të
E shtunë
Kastrioti – Vjosa 19:00
Besa F. – Prishtina 19:00
Vëllaznimi – Kosova 17:00
Drenica – Trepça zhvillohet më vonë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›