Dallku e Januzi, heqin mërzinë duke shikuar futboll

Skuadra ukrainase Vorskla Poltava, ku aktivizohen edhe dy futbollistët e Kombëtares shqiptare Armend Dallku e Ahmed Januzi, fazën përgatitore për pjesën e dytë të kampionatit po e zhvillojnë në Turqi.
Klubi ukrainas është akomoduar në një hotel në provincën e Antalisë, Side, dhe ajo çka ka rënë në sy gjatë këtyre përgatitjeve ishte se në hollin e këtij hoteli, pranë televizionit vazhdimisht kanë qëndruar dy kosovarët Dallku e Januzi.
Dy futbollistët me prejardhje nga Vushtrria para gjumit kanë preferuar t’i përcjellin ndeshjet e Europa League, derisa në ueb faqen e klubit ukrainas www.vorskla.com.ua shkruante se dyshes kosovare duhet t’i takojë çmimi i teleshikueseve më të mirë.
“Kur jemi të mërzitur në dhomën e hotelit, në mbrëmje dalim dhe shikojmë ndonjë ndeshje”, thotë Januzi.
Në hollin e këtij hoteli ishin mbledhur shumë tifozë vendas për ta shikuar ndeshjen e Europa Legaue, ndërmjet Besiktasit dhe Dinamo Kievit (4:0), derisa Jaznuzi thotë se i ka ngacmuar turqit duke u thënë se Vorskla e ka mposhtur Dinamon në ligë 3:1.
Ndërsa Dallku, i cili ndihet mirë fizikisht, ka thënë se është i kënaqur me fazën përgatitore në Turqi. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe shokun e Kombëtares, Debatik Currin, i cili për disa vite kishte bartur fanellën e Vorsklas.
“Me Currin flasim në Skype dhe ai thotë që i mungon Poltava. Ai ndihet mirë pas operacionit serioz që pati në ligamentet e gjurit. Atë po e vëzhgon edhe doktori i Kombëtares, por Currit i nevojitet kohë për të zhvilluar ndeshje zyrtare”, ka thënë Dallku për ueb faqen e klubit ukrainas.
Vorskla në pjesën e parë të kampionat është pozicionuar në vendin e tetë me 23 pikë të tubuara.