E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga, prioritet i Shaqirit

Afati kalimtar i janarit përfundoi, derisa Xherdan Shaqiri mbeti në Basel, pavarësisht faktit se për t’i siguruar shërbimet e tij kishin shprehur interesim të madh disa klube të njohura evropiane.

Galatasaray dhe Zeniti ishin më këmbëngulës për t’u përforcuar me mesfushorin kosovar, por ky i fundit i refuzoi ato dhe vendosi të qëndrojë në Basel. Megjithatë, reprezentuesi zviceran nuk pritet të qëndrojë gjatë në shtetin helvetik.

Ai synon që nga vera e ardhshme karrierën ta vazhdojë në ndonjë ligë më të fortë evropiane. Prioritet për Shaqirin mbetet Bundesliga gjermane, derisa favorit për t’i siguruar shërbimet e 20 vjeçarit është gjiganti bavarez, Bayern Munchen.

Në fakt, qysh më moti kjo skuadër ka zgjuar interesim për gjilanasin e talentuar, por vëllai i tij, njëherësh menaxheri i Xherdanit, Erdin Shaqiri, thotë se bavarezët asnjëherë nuk kishin bërë ofertë konkrete.

“Ofertat e Galatasarayt dhe Zenitit nuk ishin bindëse, kështu që Xherdani tani është i përqendruar te Baseli, të paktën deri në verën e ardhshme. Atëherë do të shqyrtohen ofertat dhe Bundesliga është prioritet i yni”, ka thënë Erdini për mediet e huaja.

“Bayern Munchen nuk ka bërë ofertë konkrete. Posa ta bëjë një ofertë konkrete, fillimisht do ta shqyrtojë atë Baseli, e më pas do të vendosim ne të dy”, ka theksuar ai.

Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në qershor të vitit 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›