E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi dhe Bushi, gola vetëm për statistikë

Java që sapo kaloi ka qenë shumë pozitive për sulmuesit shqiptarë. Hamdi Salihi dhe Alban Bushi kanë shënuar respektivisht për Ried dhe Apollon Kallamaria, megjithatë nuk kanë arritur që t‘i japin skuadrave të tyre qoftë edhe 1 pikë. Sulmuesi shkodran ka shënuar një gol, i 12-i për të në këtë sezon të Bundesligës Austriake, megjithatë skuadra e tij është mposhtur në shtëpi 2-1 nga Salzburgu i drejtuar nga Xhovani Trapatoni. Në minutën e 54-rt, kur rezultati ishte në shifrat 0-2 (Jezek dhe Kovaç kishin shënuar për miqtë), shkodrani ka realizuar një gjysmë roveshatë në zonë dhe e ka dërguar topin në rrjetë. Salihi është ende në garën për golashënuesin më të mirë, ku momentalisht renditet i dyti (së bashku me Janker), pas Zikler me 15 rrjeta. Në Greqi ka shënuar edhe Bushi, në humbjen 2-1 që Kallamaria pësoi në fushën e Larisës. Në të 80-tën, "Loku" transformoi në gol një penallti, kur rezultati ishte në shifrat 2-0 për vendasit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›