E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundestagu gjerman miraton paketën e ndihmës për Greqinë

BERLIN - Parlamenti gjerman miratoi ndihmën për Greqinë me votën pro të 496 deputetëve. 

Pavarësisht zërave kundër, vetëm 90 deputetë të Bundestagut votuan kundër paketës së re të ndihmës, ndërsa 5 te tjerë abstenuan. 

Gjatë diskutimit, kancelarja Angela Merkel iu bëri thirrje deputetëve gjermane për të mbështetur paketën e stimujve me qëllim ruajtjen e stabilitetit në Eurozonë. 

Debati rreth paketës së re të ndihmës për Greqinë, kishte nisur më herët në Gjermani. 

Ministri gjerman i Financave Volfgang Schauble kishte shprehur besimin e tij se parlamenti gjerman do të votonte në favor të kredisë së dytë për Greqinë, ndërkohë që në fundjavë u dëgjuan zëra, madje në nivel ministror që kërkojnë daljen e Greqisë nga eurozona. 

Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich tërhoqi vëmendjen me idenë e nxjerrjes së Greqisë nga eurozona, duke kërkuar edhe një ndryshim radikal kursi, për shpëtimin e euros. "Nuk flas për përjashtimin e Greqisë, por për të dhënë impulse për daljen e saj nga eurozona, impulse që për vetë grekët do të ishin atraktive", citohet Friedrich.

Nga ana tjetër opozita kritikon qeverinë e Merkelit për një qëndrim të paqartë për paketën e dytë të ndihmës. Socialdemokrati gjerman, Thomas Oppermann ka kritikuar "Ministrin e Financave, që nga njëra i lutet Bundestagut për miratimin e paketës së dytë të ndihmës për Greqinë 130 miliardë euro, nga ana tjetër propozon që Greqia ta lerë eurozonën". Kancelarja duhet të sqarojë se çfarë do qeveria e saj, ka thënë Oppermann.

Nga ana e saj Angela Merkel të premten ripërsëriti qëndrimin e saj, motoja e të cilit është “ndihmë por me kushtin që të gjitha detyrimet të plotësohen nga Greqia."

Në të njëjtën kohë, gazeta "Bild" me një titull të madh iu bënte thirrje sot deputetëve gjermanë të votonin kundër paketës së ndihmës së dytë për Greqinë. Gazeta ka publikuar një sondazh, rezultatet e të cilit dëshmojnë se 63% e qytetarëve gjermanë nuk e dëshirojnë miratimin e paketës së Greqisë nga parlamenti i tyre.
Lidhje te tjera Grekët punojnë më shumë orë në vit, por gjermanët janë më produktivë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›