E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bunjaku & Shaqiri luajtën në pjesën e dytë

Albert Bunjaku dhe Xherdan Shaqiri janë aktivizuar në lojë në pjesën e dytë, në ndeshjen e fundit miqësore të përfaqësueses së Zvicrës në prag të Botërorit 2010, të cilën e humbi të martën mbrëma nga Kosta Rika me rezultat 1:0.

Sulmuesi i Nurnbergut u fut në lojë në minutën e 76-të në vend të Barnettas, kurse ylli i ri i Baselit u inkuadrua në lojë më herët, në minutën e 64-të, në vend të Padalinos. Edhe pse helvetikët pësuan humbje, mesfushori 18 vjeç dha fjalë të mira për ekipin e tij.

“Ne luajtëm mirë”, ishte i shkurtër ai. Për shkak të një lëndimi, futbollisti i tretë shqiptar që do të jetë pjesë e kontingjentit zviceran në Afrikën e Jugut, Valon Behrami, nuk mundi të luante në ndeshjen që u zhvillua në Sion të Zvicrës, në praninë e 12.200 spektatorëve.

Golin e fitores për Kosta Rikën e realizoi Parchi në minutën e 57-të të ndeshjes. Zvicra do të bëjë pjesë në Grupin H të Botërorit 2010, së bashku me Spanjën, Kilin dhe Hondurasin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›