E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani rikthehet tek Augsburg

Edmond Kapllani do të rikthehet tek Augsburg, pas huazimit që pati për gjashtë muaj te Tus Koblenz, i cili megjithatë nuk i shpëtoi rënies nga Liga e Dytë gjermane.

Sulmuesi shqiptar do të jetë sërish në dispozicion të Augsburgut, me të cilin ka kontratë edhe një vit. Këtë e ka bërë të ditur menaxheri i futbollistit, Manfred Schulte. “Edmondi ka një kontratë, të cilën do ta respektojë.

Ai do të paraqitet më 27 qershor në fillimin e përgatitjeve të Augsburgut”, ka konfirmuar Schulte për ueb faqen gjermane augsburger-allgemeine.de. Përpos 27 vjeçarit shqiptar, Augsburg po mendon të përforcohet edhe me lojtarë si Rob Friend, Jos Luhukay e Savio Nsereko.

Në sezonin vjeshtor, në Liga 2 gjermane, Kapllani pati vetëm dy paraqitje me Augsburgun. Ndërsa nga janari ai e zëvendësoi Shefki Kuqin e larguar te Tus Koblenz, duke luajtur 15 ndeshje dhe shënuar 5 gola. Përfaqësuesi shqiptar e arriti kulmin e karrierës në kohën kur luante te Karlsruher SC (2004-2009), ku shënoi 26 gola në 118 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›