E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrustemi në FC Wegberg-Beeck

Blerim Rrustemi është futbollist i ri i ekipit FC Wegberg-Beeck, i cili garon në NRW Liga (Liga e Pestë gjermane). Lajmin e ka bërë të ditur klubi gjerman përmes ueb faqes së vet zyrtare, ndërsa ka njoftuar se mbrojtësi kosovar ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.

27 vjeçari në pranverë pushoi pasi ishte pa skuadër, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Vllazninë e Shkodrës. Në të kaluarën ai kishte luajtur tek Alki Larnaca në Qipro, AC Horsens në Danimarkë, por edhe tek ekipi i dytë i Borussia Monchengladbach. Ai pati edhe tri paraqitje me Kombëtaren shqiptare.

Kërkojnë edhe Kastratin

Anëtari i ri i NRW Liga, FC Wegberg-Beeck ia ka vënë syrin edhe Bekim Kastratit. Ueb faqja gjermane amateurkick.de shkruante të mërkurën se 31 vjeçari është afër ekipit amator, pas eksperiencës gjashtëmuajshe te Bonner SC, në RegionalLiga gjermane.

Kjo ueb faqe shkruan se, përkundër paraqitjeve të mira të tij në pranverë, trajneri i Bonner SC, Wolfgang Jerat, ka vendosur të mos e mbajë në ekip më futbollistin problematik pejan, me të cilin kishte një mosmarrëveshje. Kastrati kishte luajtur bashkë me Rrustemin te Borussia Monchengladbach II, ndërsa FC Wegberg-Beeck synon që t’i bëjë sërish bashkë këta dy lojtarë kosovarë.

Para Bonner FC, ish përfaqësuesi shqiptar, Kastrati, kishte luajtur edhe për ekipet Dynamo Dresden, Fortuna Dusseldorf, Eintracht Braunschweig e Borussia Monchengladbach. Nëse nënshkruan me FC Wegberg-Beeck, do të bëhej fjalë për një rikthim të Kastratit, pasi ai kishte luajtur te ky ekip edhe në vitin 2001.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›