E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bunjaku “nder” Bajërnit mposht kampionin e Gjermanisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Sulmuesi kosovar Albert Bunjaku ka shënuar dy gola brenda tetë minutash për të ndihmuar ekipin e tij Nurnbeng të arrijë një fitore me rezultatin 3-2 në takimin në transfertë ndaj ekipit kampion të Gjermanisë, Volfsburg. Pas një pjese të parë pa gola, ishte pikërisht kosovari që theu bardhësinë e rezultatit 10 minuta pas pjesës të dytë, duke çuar në epërsi miqtë (56). Vendasit reaguan shpejt duke barazuar pas vetëm tre minutash me anë të Ashkan Dejagah (59). Por, Bunjaku pas vetëm pesë minutash riktheu epërsinë për Nurnberg. Kampionët barazuan sërish me anë të Grafite, 13 minuta para fundit të kohës së rregullt, por tre pikët për miqtë i vulosi Peer Kluge në kohën shtesë të ndeshjes. Ndërkohë, skuadra e Verder Bremenit ka arritur një fitore tenistike 6-0 si mysafir i Freiburgut në ndeshjen e zhvilluar në Badenova Stadion. Miqtë shënuan vetëm njëherë në pjesën e parë (33) me anë të Hugo Almeida, ndërsa pesa golat tjerë i realizuan në pjesën e dytë. Në minutat e para të pjesës së dytë, Marko Marin (55) dhe sërish Hugo Almeida (57), e çuan rezultatin në 3-0. Tre golat tjerë u shënuan nga Mesut Ozil (67), Naldo (73) dhe Markus Rosenberg (82). Me këtë fitore, Verderi ka marrë kreun e tabelës me pikë të barabarta me Bayer Leverkusen, që të dielën e zhvillon derbin e javës së 13-të kundër Bayern Munich.
Fitore të thellë ka arritur edhe Hoffenheimi, që ka mposhtur Këlnin me rezultatin 4-0. Schalke ka mposhtur 2-0 Hannoverin, ndërsa derbi i parë i kësaj jave, i zhvilluar ndërmjet Stuttgartit dhe Herthas, ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1.

Ky lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›