E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush i frikësohet Mikhail Kodorkovskit të lirë?

Autori i Lajmit: Nga ANDREW MEIER
Mikhail Kodorkovski, dikur njeriu më i pasur i vendit të tij, ka qëndruar në “gulag lite” siç e quan ai sistemin gjyqësor rus të Vladimir Putinit, për rreth gjashtë vjet. Që prej pranverës, shumicën e ditëve të punës ai ngrihej në 6.45 të mëngjesit i rrethuar nga rojet, dhe hynte në një furgon të blinduar për t’iu drejtuar gjykatës. Për dy orë secila rrugë, njeriu që dikur furnizonte 2 për qind të naftës së botës, ulej në një qeli hekuri me përmasa 47 me 31 me 20 inç. I dënuar për evazion fiskal dhe mashtrim në 2005, Kodorkovskit, tani i duhet të përballet me një sërë dënimesh që i shtohen supozimit të vjedhjes prej 30 miliardësh. Në errësirën e furgonit, Kodorkovski përpiqet të përgatitet për gjyqin e tij, duke përsëritur në mendje ato që ka lexuar gjatë natës, dokumentet e përditshme nga avokatët e tij. Por i burgosuri më i famshëm i Rusisë shqetësohet gjithashtu për atë që mund të ndodhë nëse një makinë përplaset me furgonin. (Aksidentet janë rutinë e rrugëve të Moskës) “Shanset për t’ia dalë mbanë i gjallë”, - më shkroi ai një ditë kësaj vere,- “me çdo shpejtësi janë afër zeros”. Kodorkovski ka kaluar 2200 ditë pas hekurave. Ai nuk mund të presë gazetarë. E megjithatë izolimi i tij ka sjellë rilindjen e një tradite të re që daton në shekullin e 16-të me Ivan Groznin dhe princin Andrej Kurbski: Korrespondencën e letrave. Për disa muaj, nga korriku në tetor, Kodorkovski dhe unë kemi pasur një seri korrespondencash - siç ka bërë dhe me shumë korrespondentë të tjerë, të huaj dhe vendas, sigurisht të filtruara nga duart e avokatëve (që shkruajnë përgjigjet gojore të tij) dhe duke iu shmangur syrit të zyrtarëve të burgut. Në gjyq, ai i qëndron mendimit se nuk e kupton akuzën ndaj tij. Akuza e re përbëhet prej 3 487 faqesh, por ka në thelb një akuzë të vetme: Ish-drejtuesi i firmës së naftës “Jukos” dhe zëvendësi i tij, Platon Lebedev, ishin pjesë e një “organizate kriminale” që shiti 350 milionë tonë naftë nga kompania e tyre midis 1998 deri më 2003. Tonazhi e kalon prodhimin e “Jukos” gjatë periudhës në fjalë. Nëse dënohet Kodorkovski, gjyqi i parë i të cilit përfundon më 2011, mund të marrë 22 vite shtesë burgim. Në dhjetëvjeçarin që prej ngritjes së Putinit, u rritën rastet e krimeve ndaj njerëzve të njohur. Vrasja e politikanëve, gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, bombat e vëna nëpër apartamente, aktet e pengmarrjes në Moskë dhe Beslan, kanë shokuar gjithë popullin rus. Përjashtimi është delo Kodorkovskogo — çështja Kodorkovski. Asnjë aferë tjetër nuk ka mbetur aq gjatë në mendjet e njerëzve. Rasti përbënte një pikë kthese për Rusinë, ndarjen midis viteve të turbullta të Jelcinit dhe qeverisjes strikte të Putinit. Dhe sot, me rikthimin e dytë në Moskë, varet më shumë se fati i një oligarku. Nga fillimi i presidencës së tij deri në ditën e Vitit të Ri 2000, Putin ishte në rënie. Por ishte rasti i Kodorkovskit që shënoi rritjen. Gjatë kohës së qeverisjes së Jelcinit, bosët e naftës së Rusisë zotëronin industritë vitale (nafta, metalet, bankat dhe mediat) dhe deri në një farë pike, mbanin peng qeverinë. Kjo ndryshoi në një natë të ftohtë tetori, kur agjentët e maskuar të Shërbimit të Sigurimit Federal hynë në një avion në një aeroport të Siberisë dhe kryen një nga udhëtimet më të famshme në historinë e Rusisë, një oligark u rikthye në kryeqytet nën shënjestrën e armëve. Arrestimi i Kodorkovskit çuditi nacionalistët rusë dhe perëndimorët gjithashtu. Putin kishte detyruar oligarkët të ndiqnin një linjë të re politike: përfitimet do të ishin atje, por vetëm nëse politika do të ishte pjesë e tyre. “Rasti i “Jukos”-it shënoi fillimin në 2003 të “gosudarstvennoe reiderstvo” — “sulmit të shtetit” — më tha Kodorkovski në një përgjigje në gjuhën ruse muajin e kaluar. Për sqarim, ai shpjegoi ”reiderstvo”, një fjalë e huazuar nga “Uall Strit”, e cila kishte hyrë në gjuhën e Pushkinit: ”Ky është sulmi i pronës së tjetrit me ndihmën e institucioneve të shtetit (organet e zbatimit të ligjit)”. Sulmet, argumentoi ai nga burgu, ishin një “shkatërrim për biznesin rus”. Pavarësisht sigurisë së dhënë që Kremlini nuk do ta shtetëzonte “Jukos”, kompania shtetërore “Rosneft”, e drejtuar nga Igor Secin, i besuar i Putinit dhe ish-zyrtar i sigurimit të shtetit, shpejt mori kontrollin mbi fushat dhe rafineritë e “Jukos”. Për Putinin, projekti për ujësjellësin rezultoi një shkëmbim favoresh. Titanët e Rusisë vrapuan për të financuar projektet e Kremlinit. Për shumë vite, për aq kohë sa do të rriteshin çmimet në Urale, Putini mund ta harronte oligarkun në një burg të Siberisë. Ai mund të zbriste dhe nga pozita e kryeministrit, duke i pasuar pushtetin Medvedevit, dhe të qëndronte në fuqi në prapaskenë. Por gjyqi i dytë i Kodorkovskit mbërriti në një kohë të papërshtatshme. Për një dekadë, Putinizmi qëndronte në një kontratë të heshtur sociale, në sakrificën e lirive për stabilitet. Tani, sidoqoftë, kriza ekonomike ka goditur edhe Rusinë. Ekonomia e Rusisë mendohet të bjerë me 8 për qind më 2009 dhe vija e varfërisë është rritur me 17 për qind. Në të njëjtën kohë, çifti Putin-Medvedev dhe fushata kundër Kodorkovskit, një nga shtyllat e qeverisjes së Putinit, kërcënon me krisje të reja. Në Moskë, rrethi i atyre që kundërshtojnë vijën strikte qeverisëse është zgjeruar përtej liberalëve të marxhinalizuar, drejt oligarkëve, politikanëve dhe gazetarëve të cilët dikur mbështesnin Kremlinin. Zërat e tyre ka pak gjasa që të ngrihen në mbështetje të Kodorkovskit. Por gjithsesi ato të çojnë drejt një pyetjeje të drejtuar që në fillimet e fushatës ligjore në Kremlin: Kush ka frikë nga një Kodorkovski i lirë? PËRGJIGJJA mund të gjendet në histori. 46-vjeçar, Kodorkovski ka jetuar disa jetë. Kur ishte djalë, ai nuk kishte dëshirë për t’u bërë kozmonaut, gjeneral apo yll futbolli. Ai ëndërronte të bëhej drejtues fabrike. Fakti që ëndrra e tij u bë realitet në një mënyrë kaq të mrekullueshme, të bën të mendosh nëse meteori i tij ishte çështje gjenialiteti, fati apo njohjesh. Koha e duhur, inteligjenca dhe muskujt luajtën të gjitha nga një pjesë të rëndësishme. Por fëmija i dy inxhinierëve nuk kishte fillim të shpejtë. Boris Kodorkovski dhe gruaja e tij, Marina, kanë punuar në centralin ‘Kalibr’ të Moskës për dekada si prodhues instrumentesh të precizionit të lartë. Por që në moshën 23 vjeç, djali i tyre ishte një i diplomuar në institutin më prestigjioz të kimisë në Bashkimin Sovjetik, si dhe një i besuar i shtetit, i cili kishte shërbyer si kryetar i institutit ‘Komsomol’, Bashkimi Rinor Komunist. Ai u përpoq për të përfituar nga rastet e shumta që iu dhanë gjatë qeverisjes së Gorbaçovit, sidomos nga kontrata e përhershme në ‘Komsomol’, një gjë e rrallë kjo për një çifut në Moskë. Në moshën 26-vjeçare, përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, ai kishte filluar të pasurohej; importonte kompjuterë dhe i shiste gjashtë herë më shtrenjtë. Shumë shpejt ai themeloi një bankë, “Menatep”:, një nga markat e para private në financat sovjetike. Më 1991, siç më kujtoi, Kodorkovski e la gruan e tij me një pushkë në shtëpi dhe qëndroi brenda Shtëpisë së Bardhë së rrethuar, godinë e qeverisë ruse, dhe Jelcini u ngjit mbi një tank dhe përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Në 1995, 32 vjeç, Kodorkovski, që drejtonte skuadrën më të njohur në Moskë, kishte grumbulluar para dhe mjaftueshëm kontakte për të marrë drejtimin e “Jukos”, një firmë shtetërore, për një pagesë prej 309 milionë dollarësh. Në vitin pasardhës, ai ndihmoi për rizgjedhjen e presidentit Jelcin. Në moshën 40-vjeçare, Kodorkovski mbretëroi midis oligarkëve, me një portofol që ishte përhapur nga bankat në agrikulturë e më pas në naftë. Kur Rusia hyri në shekullin e ri, dhe “Jukos” u shpall kompania më e mirë e naftës, drejtuesi i saj u bë një multimiliarder. Moska do të bëhej shumë shpejt e famshme për oligarkët e saj shumë të pasur dhe intrigat bizantine, por Kodorkovski nuk u kap asnjëherë në një pozicion kompromentues, asnjëherë nuk u kap në ndonjë shtëpi pushimi alpine, kazino të Moskës apo në jahtet në Rivierë. Vajzat, fuqia, madje dhe paratë, dukeshin sikur për të nuk kishin vlerë. Kur të tjerët ekspozoheshin gjithë pompozitet, ai ishte i druajtur dhe fjalëpakë, asnjëherë nuk dëgjohej zëri i tij i lartë në shtypin e huaj, dhe as në televizion. Ai u divorcua i ri, por mbajti marrëdhënie të mira me gruan e parë. Inën, gruan e dytë e takoi në institut. Kodorkovski nuk u tregua kurrë ekstravagant, ai vishte xhinse dhe golfe; familja pushonte në Finlandë, por gjithsesi ai ishte një ekspert teknik me muskuj. Edhe në majë, ai qëndroi pezull, i pasigurt për rolin e tij në shoqëri. Ndryshe nga oligarkët e tjerë hebrenj, si për shembull, Boris Berezovski, dhe Vladimir Guzinski, Kodorkovski nuk e konsideroi veten si një të huaj. Ai personifikonte hakmarrjen e peshkopit sovjetik. Në vitin 2000, Putini kishte hyrë në Kremlin. Por Kodorkovski, me një rrjet të ndërtuar prej 2.5 milionë dollarësh, u përpoq të merrte një rol të ri. Ai u kishte thënë kolegëve të tij se kishte ndryshuar. Nëse në të shkuarën “Jukos” dhe “Menatep” kishin shfrytëzuar portet e taksave, duke rreshtuar një sërë kompanish në zonat bregdetare të Evropës, Kodorkovski tani u bë një këshilltar për drejtimin e korporatave. Shenjat e para të evoluimit të tij kishin ardhur nën qeverisjen e Jelcinit. Më 1998, Rusia pësoi një goditje, shteti zhvlerësoi rublën, humbi 40 miliardë dollarë borxhe dhe preu kordonin e kërthizës me tregjet financiare. Bankat falimentuan, tregu i aksioneve u godit rëndë dhe oligarkët ishin të pashpresë. Kodorkovski, siç u tha kolegëve në atë kohë, pa nevojën e një reforme. Kompanitë që besonin në transparencën dhe të drejtat e aksionerëve, nuk kishin frikë nga kohët e vështira, ata tërhiqnin gjithmonë investitorët e huaj, dhe rriteshin. Skeptikët ishin në rritje. Edhe pse Putini u përpoq të kufizonte oligarkët, Kodorkovski e zgjeroi ndikimin e tij me mënyra të reja. Ai solli firmat amerikane si “Mekkisni” dhe “Shlumberger”, ekspertë në përfitimin nga nafta. Ai gjithashtu kërkoi një policë sigurimi. Rreth dhjetë vjet më parë, ai punësoi “APCO”, firmën lobuese në Uashington, e cila punëson ish-ambasadorë dhe kongresmenë. Por gjatë vitit të dytë të qeverisjes së Putinit, Kodorkovski hapi një front të ri, duke krijuar një fondacion për të mbështetur organizatat jofitimprurëse dhe grupet e të drejtave të njeriut. Në muajt përpara arrestit, ai lavdëroi administratën e Xhorxh Bushit dhe Xhejms Bejkerit. Fondacioni i tij rekrutoi Henri Kisingerin dhe Lordin Rothsçajld në bordin drejtues. Ai financoi grupe politike në Uashington dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Rusi, dhe me përshëndetjen e Laura Bushit, ai i dhuroi një milion dollarë Librarisë së Kongresit. Kodorkovski iu bashkua bordit këshilltar të energjisë së “Carlyle Group”, duke punuar në krah të Bejkerit, dhe u takua në raste të veçanta me Bushin e vjetër, Kondolesa Rajsin dhe zv.presidentin Dik Çenej. Në vitin 2003, Kodorkovski nisi të financonte partitë politike opozitare. Në vitin 2003, ai përfundoi një megashkrirje kompanish: “Jukos” dhe “Sibneft”, duke krijuar kështu kompaninë e naftës së katërt në botë. Edhe pse rritja e fuqisë së tij kishte arritur maksimumin, siç më thotë në një nga letrat e korrespondencës sonë, ai kishte filluar të shihte shenja paralajmëruese. “Unë e dija se do të më arrestonin”, - shkroi ai. ”Madje dhe kam shkruar për këtë”. Në tetor 2003, Kodorkovski hyri në një xhet në Moskë. Pas një vere, ku u kishte thënë lamtumirë miqve dhe familjes, ai u nis për një tur lamtumire. Ai dha leksione në një fushë të re: ”Demokracia”. Për habinë e tij, kjo nismë e re ishte shumë e suksesshme - tetë rajone, shumë shfaqje publike dhe shumë të rinj në çdo ndalesë. Ai duhet të mbante leksion në një kolegj ushtarak. Në një qytet siberian aty afër, do të mbahej më pas një forum mbi të drejtat e njeriut. Por përpara se të ulej avioni i tij, furgonat kishin formuar një rreth në aerodrom. ”KUSH KA FRIKË NGA NJË KODORKOVSKI I LIR˔, - pyet nëna e tij 75-vjeçare?” “Më falni nëse tregohem budallaqe, por është Putini dhe të gjithë ata rreth tij që e vodhën “Jukos”-in.” Marina Filipovna vjen në gjykatë sa herë të ketë mundësi. Një ish-inxhiniere e vendosur, ajo nuk ka reshtur së thëni hapur mendimin e saj. E pyetur nga BBC se çfarë do të bënte nëse do të takonte Putinin, Maria Filipovna u përgjigj pa u menduar gjatë: ”Do ta vrisja”. “Nuk më takon mua të them se nga se u shkaktua e gjithë kjo”, - më tha ndërsa po rrinim bashkë një ditë, duke pritur ardhjen e djalit të saj, në Gjykatën e zonës së Kamovniçevskit në qendër të Moskës. “Unë di vetëm që kjo çështje ka të bëjë vetëm me politikë dhe para. Por çfarë është më shumë e rëndësishme, vetëm ata atje lart e dinë të vërtetën”, - drejtoi ajo me gisht tavanin. Përgjigjja nuk ka shumë mundësi të gjendet në dhomën e gjyqit të gjyqtarit Viktor Danilkin. Çdo herë që isha në gjyq, gjatë dy javëve në fillim të këtij viti, u ula shumë afër të akuzuarit. Ishte një skenë që do të ngacmonte imagjinatën e Kafkës. Kodorkovski do të kalonte orë të tëra, me një marker rozë në njërën dorë, letra të verdha ngjitëse, dhe një sërë letrash të vendosura midis këmbëve të tij. Ai qëndronte i ulur në një karrige, i mbyllur në një qeli hekuri dhe me xhama të blinduar, së bashku me ish-zëvendësin e tij, Lebedev, apo ”Akuariumi”, siç e quanin rojet modelin e ri të qelisë në gjyq për të akuzuarit e periudhës sovjetike. Vetëm muri i xhamit, - më tha Kodorkovski dikur, - peshon një ton e gjysmë. Gjyqtarët i kërkuan grupit të mbrojtjes, për t’i larguar bankat e tyre nga kafazi ku ndodhej i akuzuari. ”Ata kishin frikë se mos do të prishej dyshemeja”, - tha Kodorkovski. Gjyqi është i hapur, por vetëm tre ose katër gazetarë (të gjithë vendas) vijnë rregullisht. Një mëngjes, Marina dhe bashkëshorti i saj, Borisi, u ulën në rreshtin e parë. Një ditë tjetër, Geri Kasparov, shahisti mjeshtër, tashmë lider i opozitës, zuri një karrige në fund, me truprojën e tij afër. Jashtë sallës së gjyqit, një makinë kishte ngritur volumin e kasetofonit me muzike tekno ruse. Të dashuruarit ishin ulur nëpër stola në buzë të lumit afër dhe shumë alkoolistë flinin në to. Audienca, më shumë se 24 vetë, dominohej nga një grumbull grash në mbështetje të Kodorkovskit dhe më e devotshmja ishte një mësuese. Një ditë, mbështetësit kishin veshur shaje të gjelbra dhe të verdha, ngjyrat e “Jukos”. Gati të gjithë, përfshirë dhe gazetarët, i kishin vendosur në qafat e tyre...

(The New York Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›