E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bunkerët, dekor i lulishteve të Shkodrës

Në qytetin më të madh verior, ka një hop të madh cilësor të riparimit dhe ndërtimit të lulishteve të reja. Bashkia e Shkodrës, por edhe shoqata të ndryshme kanë rikonstruktuar disa lulishte, të cilat tashmë janë një dekor i mrekullueshëm i qytetit. Bëhet fjalë për  lulishtjen që gjendet përpara korpusit universitar, lulishten e rrugës Parrucë-Xhabije, ajo e fillimit të hyrjes në Shkodër, por edhe ajo e sheshit të Isa Boletinit. Në këtë drejtim kjo bashki është për t'u përgëzuar, sepse sipërfaqet e gjelbra të dëmtuara dhe të përgjysmuara në qytet, por kthehen në një farë mënyre në fokusin e saj. Por akoma në disa prej tyre ekzistojnë së bashku me stolat dhe lulet apo pemët dekorative, edhe mbeturinat e diktaturës dhe histerisë së saj në Mbrojtjen me Bunkerë. Në fakt konservimi i disa bunkerëve për të treguar edhe historinë e shkuar edhe pse në momente të diktaturës duhet bërë, sepse nuk duhet harruar, por në lulishte kjo gjë nuk shkon edhe për vetë faktin e kalimit të tyre në mjedise çlodhëse dhe argëtuese, që në këtë rast nuk kanë lidhje me një bunker. Sot lulishtja ku është edhe busti i pamirëmbajtur i "Pashko Vasës, ka bunkerin si një dekor krejtësisht negativ dhe që tregon të shkuarën akoma të jetësuar aty. Por akoma më keq është në lulishten e rregulluar dhe ndriçuar te shtatorja e madhe e Isa Buletinit, ku janë dy bunkerë të cilët nuk dihet se për çfarë shërbejnë dhe se çfarë duan të tregojnë. Këto bunkerë të një të shkuare të hidhur dhe që më vonë janë bërë pre e marrjes së materialit hekur, janë aty dhe e vetmja gjë që mund të tregojnë është se dekori i diktaturës nuk është larguar. Për më tepër dekori ushtarak i një strategjie ushtarake të një mbrojtje absurde. Tashmë rikonstruksioni i lulishteve po bëhet në Shkodër dhe patjetër që edhe bunkerëve iu duhet gjetur vendi dhe ky mund të ishte një muzeum, i cili të tregonte se si u ndërtuan këto bunkerë dhe për çfarë shërbyen gjatë jetës së tyre duke mos u vënë asnjë herë në funksionin për të cilën diktatura i ndërtoi, por duke u marrë njerëzve mundin, djersën dhe shpeshherë edhe jetën e tyre.
Nuk ka kuptim më që në qendrën e Shkodrës dhe sidomos në lulishtet e saj të ketë bunkerë që do të kishin kuptim në qoftë se koha dhe momenti kur u ndërtuan të vazhdonte. Por ajo kohë ka perënduar dhe po ashtu edhe bunkerizimi i Shqipërisë, e vendi i tyre patjetër që është kujtesa e keqe diktatoriale dhe muzeumi i veçantë për ti parë dhe shpjeguar rolin e tyre të vërtetë.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›