E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, procesi i kartave të identitetit, në fillimet e tij

Ndonëse nga të gjitha institucionet vendore në qytetin e Vlorës deklarohet se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të zgjedhjeve të qershorit, në këtë qytet ende nuk ka filluar aplikimi për kartat e identitetit, një nga pikat kryesore për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Në të vërtetë, nëpër 6 zyrat postare që funksionojnë në qytet ka tre ditë që ka filluar pagesa e kuponit prej 1200 lekësh, por vetëm kaq. Po ashtu, gati janë edhe zyrat e gjendjeve civile dhe zyrat e vëna në dispozicion të firmës që ka filluar tenderin për përgatitjen e këtyre kartave, por në qytetin e Vlorës ende nuk ka ardhur asnjë aparaturë e tillë. Në prefekturën e qarkut është vetë prefekti Hasan Halili që deklaron se tashmë edhe listat mund të quhen të përfunduara dhe se në to pas rikontrollit nuk ka më dublime dhe problem mbetet vetëm fakti i qenies në këto lista edhe të personave që janë ndarë nga jeta këto ditë. Ai mendon se do të ketë probleme me këta emra sepse duhet një vendim gjykate për ti hequr nga lista. Ndërkohë që ai deklaron se e gjithë infrastruktura për bërjen e kartave të identitetit nga ana e tyre është plotësisht e gatshme, por fajin e ka firma që nuk ka sjellë ende asnjë aparaturë. Qytetarë të shumtë që kanë paguar kuponin përkatës, kanë filluar të frikësohen se mos u shkojnë lekët kot, sepse ndonëse përditë shkojnë të pyesin se mos ka filluar aplikimi por askush nuk u thotë një fjalë të ngrohtë. Në këtë kuadër, ndërsa në dy ditët e para pati një farë interesimi për pagesën e këtyre kuponëve, ditët e fundit nuk ka interesim nga qytetarët dhe në sportele shikon vetëm pak njerëz që vazhdojnë megjithatë të paguajnë kuponin përkatës.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›