E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buqizë, vijon dita e 12-të e grevës së urisë së minatorëve

BULQIZE-Minatorët e minierës së Bulqizës vijojnë sot ditën e 12-të të grevës së urisë dhe gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet nga dita në ditë.
Sot pritet të rikthehet sërish në grevë Limon Isufi, minatori i cili tre ditë më parë u dërgua në spitalin e Bulqizës pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Mësohet se minatori 44-vjeçar i cili u detyrua të largohet nga greva e urisë në ditën e nëntë të saj ka deklaruar se do të rikthehet sërish në nëntokë për tu bashkuar sërish me kolegët e tij grevistë.
Gjatë ditës së djeshme dështoi tentativa që palët të uleshin në tryezë për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e minatorëve.

Ditën e djeshme administratori i firmës ARC, Giga Bedineishvili akuzoi kreun e konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla se vendosi veton për të përfaqësuar minatorët.
Nga ana e tij Kolë Nikolla deklaroi se zgjidhja do të vijë vetëm duke arritur një marrëveshje me sindikatën e cila përfaqëson minatorët dhe të drejtat e tyre.

Ndërkohë mësohet se kryetari i bashkisë së Bulqizës Roland Keta është nisur sot drejt Tiranës për t`u takuar me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naço për të diskutuar për çështjen e minatorëve.

Ndërkohë 13 minatorë të Bulqizës ndodhen prej 12 ditësh në grevë urie 1400 metra nëntokë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e rëndë ndërsa ata shprehen të vendosur derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Minatoret kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›