E Diel, 1 Nëntor 2026

“Killeri” i kapur në Teksas, nis procedura e ekstradimit nga SHBA

 

TIRANE – Autoritetet amerikane filluan procedurën për ekstradimin e shqiptarit të arrestuar pak ditë më parë në Teksas, Gramoz Yzeiri, i akuzuar për dy vrasje të ndodhura në Fier. Skuadrat e agjentëve të Interpol Uashingtonit prangosën 38-vjeçarin nga Fieri në bazë të një urdhër-arresti të transmetuar nga Interpol Tirana. Arrestimi i të shumëkërkuarit, i dyshuar edhe për krime të tjera të rënda në Fier, është bërë me qëllim ekstradimi, pasi gjykata e rrethit ka vendosur ndaj Yzeirit masën e arrestit në mungesë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave ekstradimi në Tiranë i Gramoz Yzeirit është çështje ditësh. Megjithatë duket se gjërat komplikohen për shkak se ai ka kryer një vepër penale në SHBA, duke falsifikuar dokumentet e identitetit, madje duke i përdorur ato me qëllim shmangien e ndjekjes nga policia. Gramoz Yzeiri akuzohet në mungesë se në vitin 1998 ka vrarë me armë zjarri për hakmarrje shtetasin Xheladin Qelia. Krimi ka ndodhur në mes të qytetit të Fierit, ku viktima është qëlluar me breshëri armësh, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Gjurmimi i Gramoz Yzeirit vazhdoi për pak kohë, ndërsa dosja e vrasjes së Xheladin Qelisë u hap para tre vitesh. Në bazë të informacioneve të Interpolit, rezultoi se një vëlla i të kërkuarit ndodhej në SHBA, ndërsa dyshohej se atje ishte strehuar edhe i dyshuari për krimin e hakmarrjes. Agjentët amerikanë kanë verifikuar të dhënat e nisura nga Tirana dhe më pas në ndjekje disaditore kanë arritur të arrestojnë Gramoz Yzeirin. Ai i kishte shpëtuar arrestimit në Shqipëri për shkak se policia gjeti të boshatisur në Fier banesën që dyshohej se ishte përdorur si vendstrehim nga i kërkuari.                     tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›